Kina nis misionin për të marrë mostra nga asteroidi
Kina nis misionin për të marrë mostra nga asteroidi

Kina nisi sot herët misionin e saj të parë për të mbledhur mostra shkëmbinjsh nga një asteroid afër Tokës. Qëllimi është të thellohen njohuritë shkencore rreth krijimit dhe formësimit të asteroideve dhe Sistemit të hershëm Diellor.
Anija kozmike pa pilot Tianwen-2 u lançua me sukses nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Xichang në Kinën Jugperëndimore, njoftoi Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës. Sonda do të udhëtojë për rreth një vit, dhe objektivi është asteroidi “2016 HO-3”, i quajtur edhe “Kamo’oaleva”. Pas mbërritjes, anija kozmike do të orbitojë asteroidin për vëzhgim dhe marrjen e mostrave të sipërfaqes së trupit hapësinor.
Mostrat pritet të kthehen në Tokë në një kapsulë deri në fund të vitit 2027.
Më pas, do të bëhet një ekzaminim i kometës “311-P”, e cila ndodhet në rripin e asteroideve midis Marsit dhe Jupiterit.
Programi hapësinor i Kinës është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit dhe ndoshta ndërmarrja e saj më e rëndësishme ka përfshirë vendosjen e stacionit hapësinor Tiangong, si dhe planet për një ulje të ekuipazhit në Hënë rreth vitit 2030. Me lançimin e Tianwen-2, Kina po përpiqet t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë si vende që kanë arritur të dërgojnë mostra asteroidësh në Tokë.