Kina shënon uljen e parë të popullsisë në dekada

Kina shënon uljen e parë të popullsisë në dekada

Për herë të parë në dekada, Kina ka më pak banorë krahasuar me fillimin e vitit të kaluar. Vendi më i populluar në botë, për vite me radhë po përballet me shqetësimin e plakjes së popullsisë dhe ndikimit të kësaj prirjeje në ekonominë dhe shoqërinë e vendit. Shifrat zyrtare tregojnë se vitin që shkoi Kina kishte mbi një milion më pak foshnje të lindura. Më 2022 Byroja kineze e Statistikave raportoi 9.6 milionë lindje, ndërsa më 2021 ishin regjistruar 10.6 milionë lindje.

Vitin e kaluar numri i banorëve në Kinë pësoi ulje, për herë të parë në gjashtë dekada, një kthesë historike, që pritet të shënojë fillimin e një periudhe të gjatë të rënies së popullsisë, një prirje që pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit aziatik.

Ulja e popullsisë, më e madhja që nga periudha e “Urisë së Madhe të Kinës” më 1961, forcon parashikimet se këtë vit India do të bëhet vendi me numrin më të madh të banorëve në botë.

Popullsia e Kinës ra me afër 850 mijë, duke numëruar 1.4 miliardë banorë në fund të vitit 2022, tha Byroja Kombëtare e Statistikave të vendit.

Numri i lindjeve për vitin e kaluar ishte 6.77 për 1 mijë banorë, nga 7.52 në vitin 2021, një rekord për numrin e ulët të shkallës së lindjeve.

Kina gjithashtu regjistroi shkallën më të lartë të vdekjeve nga viti 1974, me 7.37 vdekje për 1 mijë banorë, krahasuar me një normë prej 7.18 vdekjesh më 2021.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara parashikojnë tkurrje të popullsisë kineze me 109 milionë deri më 2050, më shumë se trefishi i uljes së parashikuar prej tyre më 2019.

Demografët kinezë thonë se ky fenomen do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit, me të ardhurat që pritet të bien krahas rrritjes së shpenzimeve të qeverisë për kujdesin ndaj një popullsie që po plaket me shpejtësi.

Një nga shkaktarët kryesorë të uljes së popullsisë kineze është ligji “Një fëmijë për familje”, të cilin Kina nisi ta zbatojë midis viteve 1980 dhe 2015, si dhe kostot e larta të arsimit që kanë nxitur shumë kinezë të mos kenë më shumë se një fëmijë, apo edhe të mos kenë fare.

LEXO EDHE:

Back to top button