Kisha, liturgji e përbashkët në stamboll

Gazetar: Luka Andreev

Për herë të parë pas vendimit të Patrikanës Ekumenike Ortodokse për të pranuar bashkimin me Kryepeshkopatën e Ohrit, përkatësisht KOM-in, sot në tempullin qendror në Stamboll është mbajtur liturgji e përbashkët. U zhvillua në greqisht dhe maqedonisht. Klerikët dhe besimtarët e vlerësuan ngjarjen si një akt historik që ndodh mes dy kishave për herë të parë pas 255 vitesh, megjithëse mungonte dokumenti i shumëpritur-tomos për pavarësinë, përkatësisht autoqefalinë e KOM-it.

“Besojmë se kjo ngjarje nënkupton mirëkuptimin tuaj të plotë të madhështisë së dhuratës së Kishës Nënë për popullin tuaj, por edhe të përgjegjësisë që mbani kur hyni sot në botën mbarë ortodokse”, tha Z.Z. Bartolomeu – Patriarku Ekumenik.

“Kemi besim të madh në JU, në gjykimin tuaj për kohën kur duhet të zgjidhen këto gjëra. Ne ua lëmë gjykimin e kohës, por Ju lutemi – mos na harroni, na ndihmoni të rritemi”, deklaroi Z.Z. Stefan – Kryetar i KOM-it.

“Ky është moment i rëndësishëm, ta gëzojmë dhe shijojmë këtë moment e jo të presim diçka që do të vijë me kohën dhe për të cilën duhet të jemi të duruar”, u shpreh Boban – prift.

Në liturgjinë e përbashkët morën pjesë edhe një numër i madh i besimtarëve nga Maqedonia.

“Zoti e krijoi këtë ditë për t’u gëzuar, veçanërisht kur shohim se si shkëlqen përsëri Kryepeshkopata jonë e Ohrit”, tha një besimtar.

“Unë jam nga Ohri dhe jam i lumtur që sot mund të dëshmoj këtë moment historik për brezat tanë të ardhshëm”, u shpreh një tjetër besimtar.

Delegacioni qeveritar u kryesua nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai shoqërohej nga ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska dhe Oliver Spasovski.

“Besoj sinqerisht se pritja për unitet kanonik me kishën tonë do të kurorëzohet me lëshimin e një tomosi nga Patrikana Ekumenike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër i  Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, Bartolomeu uroi për anëtarësim të shpejtë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe njoftoi se e ka shqyrtuar ftesën për ta vizituar vendin. Muajin e kaluar Kisha Serbe i dha KOM-it një dokument për autoqefalinë, me çka u tejkalua përçarja që zgjati mes autoriteteve kishtare në Shkup dhe Beograd që nga viti 1967 kur KOM u nda nga Kisha Serbe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button