Kjo është arsyeja pse CCDH po largohet nga X – Çka po paralajmërohet pas 15 nëntorit?
Kjo është arsyeja pse CCDH po largohet nga X - Çka po paralajmërohet pas 15 nëntorit?

Qendra Kundër Urrejtjes Dixhitale CCDH, përmes një njoftimi ka treguar se që nga dje me datë 14 nëntor, nuk do të jetë më pjesë e platformës X të miliarderit Elon Musk, shkruan Alsat.
Ky njoftim i CCDH vjen pas njoftimit të dy ditëve më parë të gazetës prestigjioze The Guardian, e cila po ashtu, njoftoi largimin e saj nga kjo platformë.
CCDH, përveç të tjerash, kanë paralajmëruar se Musk po ndryshon kushtet e shërbimit të X për të siguruar që sulmet ligjore të ardhshme të kryesohen nga gjyqtarë që ai mendon se do të jenë në anën e tij.
“Më 15 nëntor, X po ndryshon kushtet e tij të shërbimit për të kërkuar që të gjitha mosmarrëveshjet ligjore që lidhen me rregullat e reja të platformës “do të sillen ekskluzivisht në Gjykatën e Qarkut të SHBA për Distriktin Verior të Teksasit ose gjykatat shtetërore të vendosura në Tarrant County, Teksas””, thuhet në njoftim.
Tutje, nga CCDH thonë se kushdo që qëndron në X pas datës 15 nëntor do të pranojë automatikisht kushtet e reja të shërbimit.
“A tingëllon kjo e frikshme? Është veçanërisht për organizatat e vogla e të pavarura që bëjnë kërkime mbi X dhe përpiqen të mbajnë përgjegjës platformën dhe shefin e saj. Për CCDH, ky është më shumë se një njoftim daljeje: është një paralajmërim për individët dhe organizatat e tjera që hetojnë dhe raportojnë mbi dështimet e kompanive të mediave sociale dhe lëvizjet autoritare të Musk. Madje është një paralajmërim për përdoruesit normalë se çdo kritikë ndaj X mund t’ju gjejë në gjykatë në Teksas duke u mbrojtur kundër një padie të ngritur nga X Corp”, vazhdon tutje njoftimi i CCDH./ Alsat.mk