“Klan Kosova”, ndërkombëtarët të shqetësuar për lirinë e mediave në Kosovë
“Klan Kosova”, ndërkombëtarët të shqetësuar për lirinë e mediave në Kosovë

Gazetare: Evi Shkopi
Vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ku kumtohej lajmi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit, ka ngjallur reagime të shumta tek ndërkombëtarët. Ata shfaqin shqetësimin e tyre për lirinë e medias në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Rikardo Gutierrez, vendimin e ARBK-së e quan si “ditë të zezë të censurës shtetërore”.
“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. Qeveria më në fund arriti të mbyllë Klan Kosovën. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në iliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e BE-së”, deklaroi Rikardo Gutierrez- Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias alarmojnë se po rrezikohet seriozisht pluralizmi dhe liria e mediave.
“Kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe rrezikon seriozisht pluralizmin, lirinë e mediave dhe dërgon një mesazh të qartë për mediat tjera. I bëjmë thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kombëtare”, thonë nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.
Situata e krijuar rreth licencës së biznesit të Klan Kosovës për ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përbën shqetësim të jashtëzakonshëm, pasi sipas tij mbyllja e njërit prej televizioneve më të mëdha në Kosovë do të ishte goditje serioze për mediat e lira në vend.
“Mbyllja e një prej medieve më të mëdha të Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medieve”, deklaroi, Jorn Rohde- ambassador i Gjermanisë në Kosovë.
Organizata Reporterët pa Kufij vlerëson se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit duhet tërhequr.
“Kosovë: pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës nga media më e madhe private në vend, Klan Kosova! Duke e lënë në fuqi pezullimin e certifikatës së saj të biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e shtyn atë drejt mbylljes. Ky vendim duhet të tërhiqet”, thonë nga Reporterët pa Kufij.
Misioni i OKB-së në Kosovë, e ka cilësuar këtë vendim të kësaj ministrie si një goditje të rëndë për mediat e pavarura të Kosovës.
“Kjo është një goditje e veçantë për mediat e pavarura të Kosovës, duke shkaktuar shqetësime serioze për liritë e mediave”, shprehen nga UNMIK.
Shtetet e QUINT-it dhe BE-së po ashtu reaguan duke thënë se shprehin shqetësimin e tyre të thellë me vendimin që konfirmon pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
“Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, thuhet në njoftimin e QUINT dhe BE.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport, ka theksuar se ky vendim i MINT-it e thellon edhe më tej shqetësimin e tij.
“Vendimi i sotëm për të konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës thellon shqetësimin tonë. Besoj se në diskutimet e tij, Komisioni i Pavarur për Media do të respektojë përgjegjësinë e tij për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin e medias në Kosovë”, deklaroi Michael Davendport- Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë.
Rreth pezullimit të vendimit për licencën e biznesit të Klan Kosovës kanë reaguar edhe figura politike në vend dhe organizata për mediat duke e quajtur atë vendim skandaloz. Ish-drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi tha se gjithçka ka treguar se është një tendencë e qartë për të shtrirë ndikim në mediat e lira, dhe si i tillë është përcjellë me parregullsi që ka shpërfaqur në mënyrë krejt të hapur tendencën e institucionit që të fillojë ndikimin në media. /Alsat.mk