Klark, këshilltar i ministrit të mbrojtjes të Kosovës

Ish komandanti suprem i Forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Uesli Klark shprehet i impresionuar me progresin e Kosovës drejtë demokracisë. Klark i cili po qëndron në Kosovë, u prit me nderime të larta ushtarake nga ministri i mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj. Ky i fundit tha se ka njoftuar gjeneralin Klark se synimi i Kosovës është të bëhet anëtare e NATO-s. Klark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.
Jam i nderuar që jam këtu, jam i lumtur që kthehem në Kosovë. Ky është rasti i parë që kam pasur për të vizituar ministrinë. Jam impresionuar shumë gjatë viteve, pasi kam parë progresin e Kosovës. Është një marshim shumë mbresëlënës, drejt demokracisë dhe lirisë, dhe shpresoj që të rritet prosperiteti ekonomik për popullin e Kosovës. Njerëzit e Kosovës japin një shembull të fortë për pjesën tjetër të botës se çfarë mund të thotë dhe të bëjë për një komb, vendosmëria për të jetuar, punuar, dhe për të shërbyer në një demokraci, kështu që unë jam shumë krenar që jam përsëri këtu – tha Uesli Klark, Ish komandant i Forcave të NATO-s në Evropë.
Gjeneral Clark ka rolin kyç në çlirimin e Kosovës dhe lirinë tonë, lirinë e kombit. E informova gjeneral Clark, për të arriturat e Kosovës dhe ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. I tregova gjeneralit Clark se FSK ka bërë arritje të mëdha dhe po zhvillohet në një forcë moderne dhe ndërvepruese me forcat e tjera të NATO-së. FSK ka synimin primar integrimin në NATO dhe dërgimin jashtë vendit në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë – u shpreh Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes i Kosovës.