Klinika Zhan Mitrev: Akuza për marrjen e klinikës
Klinika Zhan Mitrev: Akuza për marrjen e klinikës
Gazetar: Suad Bajrami
Kirurgu dhe pronari i spitalit privat Zhan Mitrev, ka deklaruar se ish kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kanë tentuar t’ia marrin pronësinë e spitalit, gjatë kohës së krizës së Kovidit, derisa IRL publikoi skandalin me procedurat e shërimit të pacientëve në këtë spital, nëpërmjet metodës së hemofiltrimit, për çka është hapur dhe proces gjyqësor. Kjo ka mjaftuar për të reaguar nga VMRO-DPMNE të cilët theksojnë se pushteti i atëhershëm i LSDM-së ka vepruar në mënyrë mafioze.
“Mënyra se si Zaev dhe Filipçe kanë qenë të gatshëm ta marrin spitalin në kulim e pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme në shtet, është model i vërtetë mafioz i veprimit. Sipas deklaratave të doktor Zhan Mitrev, Zaev dhe Filipçe kanë thënë se ata do ta caktojnë vlerën për blerjen e aksioneve të spitalit, ndërsa për kompensim do t’i ndihmojnë në procesin gjyqësor”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Megjithatë, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, këto akuza i quajtën vazhdim të serisë së akuzave të pushtetit me qëllim që të linçohet figura e tij. Për këtë, ai paralajmëroi padi.
“Tani do t’i padis. Përgjigjen time nëpërmjet gjykate do ta marrin edhe porositësit edhe kryerësi. E ftoj Zhan Mitrevin le të shkojë te prokurori dhe le të dorëzojë padi penale, nëse guxon dhe të japë llogari sipas Kodit Penal. Nuk e bëjnë atë sepse e dinë se do të japin llogari, dhe jo kështu t’i padis vetëm për shpifje”, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM.
Deklarata e Mitrevit, përplasi edhe kryeministrin Hristijan Mickoski me ish presidentin Stevo Pendarovski. Mickoski tha se gjatë asaj kohe presidenti ka miratuar dekrete të cilat edhe sot e kësaj dite nuk zbatohen, ndërsa kërkoi nga Prokuroria të veprojë nëse Pendarovski ka shkelur ligjet dhe kushtetutën. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Pendarovskit, i cili thekson se dekretet nuk i ka miratuar ai, por Qeveria. Nëse ka pasur atje keqpërdorim, sipas Pendarovskit, institucionet mund ta verifikojnë menjëherë.
Ndryshe pas publikimit të dokumentarit të IRL-së, në vitin 2023 prokuroria ngriti akuzë për mashtrim kundër Zhan Mitrevit dhe klinikës. Sipas akuzës, 283 pacientë të infektuar me kovid, kanë paguar shuma të larta të parave për t’u trajtuar me metodën e hemofiltrimit si trajtim efikas, edhe pse nuk kanë ekzistuar prova shkencore. Për këtë, Klinika ka përfituar rreth 1,6 milionë euro. /Alsat.mk








