Kocevski: Propozimi për shkarkimin tim do të shënohet në raportin e ardhshëm të KE-së
Gazetar: Mihajllo Donev
Në vend që ta shkarkonin deputetët, Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror Lupço Kocevski vetë dha dorëheqje të parevokueshme në prag të seancës së sotme në Kuvend, ku në rend dite duhej të ishte pikërisht propozimi për shkarkimin e tij. Në vend të kësaj, deputetët vetëm konstatuan dorëheqjen. Kocevski tha se nisma për shkarkim është e motivuar politikisht, ndërsa nga ai ishte kërkuar të paraqitej në Kuvend pa e marrë më parë propozimin me arsyet për shkarkimin e tij.
“Që nga fillimi kam pohuar se procedura eventuale për shkarkimin tim është vendim politik. Prandaj sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetëm një orë para fillimit të seancës së caktuar më ishte dorëzuar ftesë nga Kuvendi për të marrë pjesë në seancën ku do të diskutohej për shkarkimin tim. Propozimi për shkarkim fare nuk më është dorëzuar dhe nuk e di për çfarë duhet të deklarohem”, deklaroi Lupço Kocevski- ish Prokuror i Përgjithshëm Shtetëror.
Sipas Kocevskit, presionet politike për të cilat ai flet janë të vërtetuara edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit.
“Kritika më e madhe nga raporti i fundit i Komisionit Evropian ishin presionet politike mbi gjyqësorin, të cilat na paralizojnë luftën kundër korrupsionit. Propozimi për shkarkimin tim është shembull i vërtetë për këtë, i cili besoj se do të gjendet në raportin e ardhshëm”, tha Lupço Kocevski, ish Prokuror i Përgjithshëm Shtetëror.
Për Kocevskin, fakti që ai publikisht ka folur se prokurorëve u mungojnë burime dhe fonde, si dhe për kontrollet që ka kryer në prokuroritë e larta dhe ka vendosur të sanksionojë disa prokurorë për shkak të mangësive në punë, janë pjesë e arsyeve të vërteta për shkarkimin e tij, e jo puna e tij e pandërgjegjshme dhe jo-profesionale, siç pretendon pushteti. Pas dorëheqjes së Kocevskit, Këshilli i Prokurorëve Publik fillimisht në vend të tij duhet të zgjedhë ushtrues detyre të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm Shtetëror, e më pas të shpallë konkurs për pasardhësin e tij. Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror zgjidhet në Kuvend me shumicë të thjeshtë, me propozim të Qeverisë dhe me mendim paraprak pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. /Alsat.mk









