Kodi Zgjedhor i ri, pengesë për listat e pavarura në zgjedhjet Lokale

Kodi Zgjedhor i ri, pengesë për listat e pavarura në zgjedhjet Lokale

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Zvarritja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sa i përket pragut të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur, ka lënë në situatë të paqartë qytetarët dhe organizatat të cilat duan të dorëzojnë lista të pavarura në zgjedhjet lokale të tetorit. Propozimi i partive VMRO, ZNAM, LSDM dhe VLEN që kandidatët e pavarur duhet të mbledhin së paku 1% të numrit total të votuesve në komunë, nuk u mirëprit nga organizatat.

Këshilltari i pavarur në komunën Qendër, Jane Dimeski, për Alsat shprehet se edhe propozim ligji i dorëzuar nga katër partitë nuk ndihmon por përkundrazi pengon qytetarët dhe organizatat që të kandidojnë me lista të pavarura.

“Propozim ligji në atë formë si është, është tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilën u shfuqizuan dy dispozita nga ligji i mëparshëm sepse ato dispozita e rrisnin numrin e nënshkrimeve për iniciativat e pavarura në një nivel ku praktikisht kjo bëhet pengesë që qytetarët që nuk janë të organizuar politikisht të mos munden fare të kandidojnë në zgjedhje. Me këtë shkelet një nga të drejtat themelore kushtetuese e ajo që të mund të zgjedhin kandidatë në zgjedhje apo vet të kandidojnë në zgjedhje”, tha Jane Dimeski – Këshilltar i pavarur në komunën Qendër.

Kjo sipas tij ndodhë për arsye se partitë duan të kenë njerëzit e tyre si këshilltarë nëpër komuna dhe më lehtë t’i menaxhojnë.

“Absolutisht ju pengon. Bëhet fjalë për frikë te partitë politike. Ne si iniciativë e pavarur nuk kemi financim shtetëror për dallim nga partitë politike. Në shumë gjëra jemi të pa barabartë, në pjesëmarrje në zgjedhje sepse partive përskaj asaj që shteti çdo vit u jep të holla dhe i financon, ua paguan fushatat zgjedhore, ata qëndrojnë më lartë në listat zgjedhore e ne si iniciativa të pavarura në fund fare, kanë qasje në listën zgjedhore e kështu me radhë”, shtoi ai.

Në suaza të vendimit të Kushtetueses e cila shfuqizoi dy nene që parashihnin prag të nënshkrimeve, këshilltarë të pavarur nga disa komuna kërkuan nga Kuvendi dhe Qeveria interpretim autentik të kodit zgjedhor, por deri tani një interpretim i tillë nuk është realizuar. Ata gjithashtu kërkuan nga Gjykata Kushtetuese raport të posaçëm për propozim ndryshimet e dorëzuara në Kuvend por ende të pa miratuara për shkak mungesës së badenterit.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, u shënuan numër rekord i kandidaturave të pavarura. Me gjithsej 65,908 vota, u fituan 67 mandate të këshilltarëve komunalë në tërë territorin e vendit. Zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të mbahen në fund të tetorit ndërsa do të shpallen në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit gusht./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button