Kodra e Diellit “ngulfatet” nga ndërtimet pa leje


Alsat
01.09.2020 15:25
Përskaj problemeve të shumta infrastrukturore në Kodrën e Diellit, muajve të fundit, në këtë pikë turistike, me të madhe po ndërtohen vila pa leje. Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” me reagim i është drejtuar komunës së Tetovës dhe prokurorisë. Kjo nismë kërkon miratimin e shpejtë të planit të detajuar urbanistik, me qëllim pengimin e uzurpimeve që bëhen në këtë pikë turistike.
Është evidentuar nga Policia se po ndërtohen rreth 80 të atilla, disa po ndërtohen edhe pse nuk janë të kryera dhe shumica e tyre presin legalizim të objekteve nga komuna e Tetovës. Urgjentisht komuna e Tetovës duhet të ngre nismën për ta përpiluar atë plan dhe për ta dorëzuar në institucione përkatëse që të mos përsëritet kjo katrahurë – deklaroi Hamdi Sulejmani, ta shpëtojmë Kodrën e Diellit.
Ndaj ndërtimeve të paligjshme kanë reaguar edhe banorët e vilave në kodrën e Diellit. Sipas tyre situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë, ndërsa nuk ka kurrfarë reagimi të autoriteteve.
Është duke u bë keq e më keq. Ndërtimet pa leje ka si te pjesa e vilave po ashtu edhe në pjesën pronë të Elem Tursit. Kemi reaguar disa herë por gjithnjë kemi hasur në veshë të shurdhër. Kryetarja e komunës dhe delegatët, ata duhet të reagojnë, sepse ata i ka zgjedh Populli dhe jo të rrinë e të bëjnë sehir aty – tha Habil Bexheti, pronar vile.
Të pyetur për ndërtimet e paligjshme në pikën turistike të lënë krejtësisht pas dore, nga komuna e Tetovës janë përgjigjur se po punojnë në drejtim të gjetjes së ndërtuesve dhe marrjes së masave kundër tyre.
Bashkim Sulejmani