Kolumbi/ Rrëshqitje dheu në Bello, humbin jetën 8 persona
Kolumbi/ Rrëshqitje dheu në Bello, humbin jetën 8 persona

Të paktën tetë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën si pasojë e një rrëshqitjeje dheu që ndodhi sot në qytetin Bello, në veriperëndim të Kolumbisë, pranë Medellín-it.
Sipas kryebashkiakes Lorena González, rrëshqitja e tokës fshiu më shumë se dhjetë shtëpi. Në një video-mesazh për mediat, ajo konfirmoi përmasat e dëmit dhe tha se ekipet e emergjencës janë ende në vendngjarje.
Fotot e publikuara nga mediat lokale tregojnë banesa të mbuluara nga masa të mëdha dheu dhe balte në një zonë kodrinore.
Rrëshqitja u shkaktua nga reshjet e dendura që përfshinë zonën, duke përmbytur një përrua lokal dhe shkaktuar një rrjedhje të fuqishme balte, e cila u përhap në rrugët e qytetit.
“Është një tragjedi e vërtetë, e gjithë provinca po qan sot,” deklaroi guvernatori i rajonit Antioquia, Andrés Julián Rendón. Kryeqyteti i këtij rajoni është qyteti Medellín.
Ky nuk është incidenti i vetëm i këtij lloji në zonë. Në fillim të majit, një tjetër rrëshqitje dheu në komunën Sabaneta, në jug të Medellín-it, shkaktoi vdekjen e pesë personave.