Komente nga Uashingtoni dhe Berlini për takimin e OSBE-së në Shkup
Komente nga Uashingtoni dhe Berlini për takimin e OSBE-së në Shkup

Gazetar: Lluka Andreev
Funksionimi i OSBE-së do të jetë tema kryesore e Takimit Ministror të Organizatës në Shkup. Çështja u ngrit pas vetos së Rusisë për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm për vitin 2024, por edhe për shkak të vetos në buxhetin e organizatës. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antoni Blinken, i cili do të jetë pjesë e aktivitetit në vend, bëri të ditur se do të bëhen të gjitha përpjekjet që OSBE-ja të vazhdojë punën e saj.
“Pavarësisht shkeljes flagrante nga Rusia të çdo parimi bazë të Aktit të Helsinkit dhe përpjekjeve të saj të pamëshirshme për të penguar punën e OSBE-së, 50 vendet e mbetura pjesëmarrëse kanë treguar vendosmëri për të siguruar që organizata të përmbushë qëllimin e saj, respektivisht ta forcojë sigurinë evropiane”, deklaroi Antoni Blinken – Sekretar Amerikan i Shtetit.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe Berlini zyrtar. Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok, tha se Sergej Lavrov nuk do të lejohet ta shkatërrojë organizatën.
“Prandaj si ministre e Punëve të Jashtme po shkoj në Shkup në takim. Do të bëj gjithçka që është e mundur së bashku me kolegët e mi për të siguruar që ministri i Jashtëm rus të mos ketë sukses në qëllimin e tij për të shkatërruar OSBE-në”, tha Analena Berbok – Ministre e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Për shkak të pjesëmarrjes gjithnjë e më të sigurt të ministrit rus Sergej Lavrov, kolegu i tij ukrainas Dmitro Kuleba tashmë e ka anuluar pjesëmarrjen ndërsa ngjashëm kanë vepruar edhe vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania.
“Vendi agresor ka të drejtën e vetos dhe në një mënyrë po përpiqet ta rrëmbejë agjendën e OSBE-së. Kjo është thjesht e gabuar. Prandaj, tre vendet baltike do të përmbahen nga pjesëmarrja këtë herë”, u shpreh Krisjanis Karins – Ministër i Punëve të Jashtme të Letonisë.
Moska zyrtare ende nuk e ka konfirmuar se pikërisht Lavrovi do ta drejtojë delegacionin rus. Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, akuzoi se Perëndimi është përpjekur të pengojë pjesëmarrjen e delegacionit rus.
“Ka tentativa nga një pjesë e “Perëndimit kolektiv” që të bëjnë gjithçka për të parandaluar pjesëmarrjen normale të vendit tonë në këtë forum. Ata e vënë në rrezik vetë ekzistencën e organizatës. Nuk do të hyj në detaje. Ata përfundimisht do të vijnë më vonë. Mund të them se përgatitjet për vizitën janë duke u zhvilluar. Gjithçka po bëhet për të siguruar që puna e Këshillit Ministror të OSBE-së të strukturohet në mënyrë konstruktive”, theksoi Maria Zakharova – zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Në mbledhje pritet që njëzëri të arrihet marrëveshje që Malta të jetë kryesuesja e radhës e OSBE-së pas përfundimit të mandatit të Maqedonisë në fund të vitit. /Alsat.mk