Komisioni për Furnizime Publike nuk i ka realizuar aktivitetet e nevojshme, konstatuan deputetët
Komisioni për Furnizime Publike nuk i ka realizuar aktivitetet e nevojshme, konstatuan deputetët

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Komisioni Shtetëror për Ankesa gjatë furnizimeve publike në vitin 2024, nuk i ka realizuar aktivitetet e nevojshme për mbrojte juridike të shpejtë, objektive dhe efikase në procedurat për furnizime publike, ishte konkluzioni i miratuar sot nga komisioni i financave dhe buxhetit në Kuvend, i cili shqyrtoi raportin e punës së këtij komisioni. Shumica e deputetëve, miratuan konkluzion se komisioni për ankesa gjatë furnizimeve publike, nuk i ka arritur qëllimet, prioritetet dhe rezultatet që i kërkohen. Siç thanë, raporti është copy-paste i atij të vitit 2023, të cilin nuk e patën miratuar. Ky konkluzion nuk u mirëprit nga deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
“Do të kontestoja kur 90% e vendimeve dhe procedurave të tyre, do të kontestoheshin para Gjykatës Administrative, e pastaj Gjykata ka sjellë vendim të kundërt, atëherë do të thoja po tani le t’i shkarkojmë, nuk ka nevojë as Qeveria t’i shqyrtojë, menjëherë, të gjithë institucionin, të gjithë të shkarkohen. Por 8,7% e vendimeve të tyre janë kontestuar në Gjykatë”, deklaroi Fatmir Bytyqi – LSDM.
Pikërisht numri i ulët i lëndëve që përfundojnë në gjykatë, për deputetin Bojan Stojanovski përbën shqetësim.
“Pse njerëzit vendosin të kërkojnë aq përqindje të vogël mbrojtje juridike nga Gjykatat? Sepse paraprakisht e dinë se si do të përfundojë një prokurim i caktuar publik. Ne kemi hulumtime se sa nga gjithsej prokurimet publike i fitojnë disa kompani, ato kompani mund të shohim se cilët funksionarë janë, me kë janë të afërt e kështu me radhë dhe pse njerëzit refuzojnë të dorëzojnë ankesa sepse paraprakisht e dinë si do të përfundojë. Kjo është pyetje legjitime që dua ta parashtroj”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Në vitin 2024, deri te komisioni shtetëror për ankesa gjatë furnizimeve publike, kanë arritur dhe janë formuar gjithsej 1014 lëndë, prej të cilave 25 janë trashëguar nga viti 2023. Prej tyre, vendime janë marrë për 969 lëndë ndërsa 45 të tjera kanë mbetur të pa zgjidhura. Ky numër tregon se nuk janë të pakta keqpërdorimet apo tentimet për keqpërdorime gjatë furnizimeve publike. Një të tillë kishim edhe vitin e kaluar, kur Policia Financiare ngriti kallëzim penal kundër udhëheqjes së Lotarisë Shtetërore dhe pronarit të kompanisë Ritron Copy nga Kumanova, për shkak të keqpërdorimit të procedurës për furnizim publik. Drejtori i atëhershëm i Lotarisë Shtetërore, për momentin në arratisje, Përparim Bajrami, nga viti 2022 deri në vitin 2024 ka nënshkruar fatura me përmbajte të pa vërteta për blerjen e televizorëve, printerëve dhe pajisjeve kompjuterike, me çka buxheti ishte dëmtuar për 22 milion denarë. /Alsat.mk