KON, falas vaksinën anti Covid për pjesëmarrësit “Tokio 2020”

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u ka bërë një ofertë të gjithë sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe atyre dimërore “Pekin 2022”. IOC deklaroi se do t’u ofrojë gratis të gjithë sportistëve e stafeve olimpike pjesëmarrëse vaksinën anti-Covid që është prodhuar në Kinë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Tomas Bah, dy ditë pas rizgjedhjes në krye të IOC. Ai shtoi se Komiteti Olimpik Kinez ka bërë një ofertë për t’u dhënë doza shtesë të gjithë sportistëve pjesëmarrës në Olimpiadën e “Tokio 2020” dhe atë të “Pekin 2022”. Këto vaksina do të blihen nga IOC dhe do t’ua japë ato sportistëve. Gjithsesi, IOC u shpreh se vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm për ata që marrin pjesë në Olimpiadë, por do të promovojë fushatën e vaksinimit me të gjitha Komitetet Olimpike pjesëmarrëse.