Konflikti ushtarak në Ukrainë pritet të ndikojë negativisht në rritjen e ekonomisë

Gazetar: Ile Petreski

Ekonomia e Maqedonisë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka shënuar rritje prej vetëm 2,3 për qind. Statistikat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se ka dështim të rritjes së parashikuar të Bruto Prodhimit Vendor për vitin 2021, shkruan Alsat.

Sipas të dhënave, ekonomia vitin e kaluar është rritur për 4%, ndërsa parashikimi i qeverisë ishte 4,1%. Por ministri i Financave Fatmir Besimi tha se është i kënaqur me rritjen e ekonomisë.

“Pas rënies prej 6,1% në vitin 2020, në vitin 2021, që ishte viti i rigjallërimit të aktivitetit ekonomik nga tremujori i dytë, ne dolëm nga recesioni dhe arritëm rritje prej 13,2% dhe me ritme pozitive rritjeje në dy tremujorët e ardhshëm e mbyllëm vitin me rritje prej 4%”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Tani, me konfliktin ushtarak në Ukrainë, ekonomitë e brendshme dhe globale po përballen me një sfidë të re. Ekspertët pohojnë se ky vit do të jetë një nga vitet më të vështira në dekadat e fundit. Se cili do të jetë ndikimi në rritjen e ekonomisë në vend do të varet nga kundërsanksionet e Rusisë.

“Të gjitha këto zhvillime dhe masa represive të marra nga Perëndimi në raport me Rusinë do të ndihen në rënien e standardit të jetesës së qytetarëve, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Evropë, madje edhe në mbarë botën”, u shpreh Zoran Ivanovski, profesor universitar.

Projeksionet e qeverisë për këtë vit janë se pritet një rritje e përshpejtuar, e cila është në nivelin 4,6 për qind. Por ky parashikim bazohet në rritjen e investimeve bruto, rritjen e konsumit mbi tre për qind, si dhe realizimin më të mirë të eksporteve nga vendi. Të gjitha këto projeksione janë bërë nga qeveria kur askujt nuk i shkonte mendja se do të shpërthente luftë në Evropën Lindore. Tani ekspertët paralajmërojnë se gjendja dhe realizimi i buxhetit duhet të monitorohen me kujdes. Nëse nevojiten fonde, të mos nxitohet për huamarrje të reja sepse borxhi ka kaluar 60 për qind të PBV-së, por të rishikohet arka shtetërore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button