Kongresi llogaridhënës i LSDM-së, analizon arsyet e humbjes së thellë
Kongresi llogaridhënës i LSDM-së, analizon arsyet e humbjes së thellë

Gazetar: Suad Bajrami
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë po e mban kongresin llogaridhënës, në të cilin, udhëheqësia dhe organet e partisë do t’i analizojnë arsyet e humbjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të prillit dhe majit.
Dimitar Kovaçevski, kryetari në dorëheqje i partisë dhe deputet aktual tha se pret që pas këtij kongresi, partia të dalë më e fuqishme.
“Pres debat të hapur, pres të bisedohet në mënyrë konstruktive dhe të hapur për të gjitha çështjet që ndikuan në rezultatin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, por edhe të vitit 2021. Pasi atëherë nuk u mbajt kongres llogaridhënës. Kështu që delegatët do të kenë për çfarë të bisedojnë, gjithsesi anëtarët e udhëheqësisë do të kenë ekspozimet e tyre të caktuara, Forumi i Grave dhe anëtarët tjerë të udhëheqësisë. Mendoj se do të jetë një kongres i suksesshëm nga i cili, LSDM duhet të dalë më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe të hyjë në procesin e finalizimit të zgjedhjes së kryetarit dhe udhëheqësisë së re”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.
Edhe Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së dhe ish nënkryetar, i cili dha dorëheqje nga ky post pikërisht për shkak rezultatit të dobët zgjedhor, ndan të njëjtin qëndrim me Kovaçevskin. Sipas tij, kjo është një pikë kthese për partinë.
“Atë të cilën, çdo parti demokratike pas zgjedhjeve duhet ta bëjë. Hapur të flitet për rezultatin zgjedhor, për të gjitha gjendjet para zgjedhjeve dhe si më tej në periudhën e ardhshme. Veçanërisht, pasi na pret një periudhë e zgjedhjeve brendapartiake. Vlerësoj se kjo është pikë kthese në parti dhe për këtë është ditë shumë e rëndësishme për mua”, shtoi Fatmir Bytyqi, LSDM.
Ndryshe, partia e cila ishte në pushtet prej për afër 7 vite, përjetoi humbjen më të thellë në historinë e ekzistimit të partisë. Respektivisht, mori vetëm 18 deputetë, përballë VMRO-DPMNE-së e cila mori 58, apo 40 deputetë më shumë.
Rezultat, të dobët kishte edhe kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili u mund nga kundërkandidatja Gordana Siljanovska Davkova me diferencë prej 310.000 vota.
Për këtë, kreu i partisë dhe nënkryetarët dhanë dorëheqje dhe krijuan hapësirë për zgjedhje të udhëheqësisë së re të partisë.
Zgjedhjet janë caktuar për më 30 qershor të këtij viti, ku anëtarët do të kenë mundësi të zgjedhin kryetar mes katër kandidatëve. Në garë janë, Sllavjanka Petrovska, Venko Filipçe, Jovan Despotovski dhe Aleksandar Bajdevski./Alsat.mk