Konseisao: Nuk ka justifikime, duhet të përballemi me Juventusin me kokën lart

Të marrësh drejtimin e Milanit mes një ndeshjeje dhe tjetrës do të thotë edhe të përballesh me konferenca për shtyp dy herë në tri ditë. Pas prezantimit zyrtar si trajner i ri i “kuqezinjve”, Serxhio Konseisao foli për sfidën e tij të parë; gjysmëfinalen e Superkupës Italiane kundër Juventusit, që do të zhvillohet sonte në Arabinë Saudite. Këtu janë pikat kryesore nga fjala e tij, mes emocioneve dhe përgatitjeve për ndeshjen.

 

“Kam gjetur një skuadër që punon me përulësi, e cila dëshiron të mësojë dhe ta kuptojë trajnerin. Kjo është shumë e rëndësishme, është baza për të bërë një punë cilësore. Kemi pasur pak kohë për të punuar, por kemi qenë të qartë në drejtimet ku skuadra duhet të përmirësohet për ndeshjen ndaj Juventusit. Koha është ajo që është. Nëse do të më pyesnit nëse do të doja më shumë kohë për të punuar dhe t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, përgjigjja ime do të ishte po. Sidoqoftë, e dija këtë që kur erdha. Nuk ka justifikime; duhet të përballemi me Juventusin me kokën lart. Duam të jemi të qartë në atë që duhet të bëjmë. Të përgatitemi për të fituar, për ne është thelbësore,” tha në fillim Konseisao.

 

Një vlerësim për Juventusin si ekip?

 

“Ka shumë lojtarë cilësorë, të rinj dhe punëtorë. Është skuadra që ka pësuar më pak gola në Serie A, më kompaktja. Duhet të shohim si mund ta çmontojmë organizimin e tyre mbrojtës. Nuk dua ta kufizoj talentin apo cilësinë, por duhet të punojmë si ekip. Vetëm kështu funksionon futbolli për mua”.

 

Gjendja e lojtarëve të dëmtuar?

 

“Unë nuk jam mjek. Ka lojtarë që ende nuk janë rikuperuar, disa kanë bërë vetëm një stërvitje dhe nuk kanë 90 minuta në këmbë, të tjerët do ta fillojnë titullarë. Do të shohim,” tha në fund Konseisao.

LEXO EDHE:

Back to top button