Kontrolle të shtuara të AUV-së para Pashkëve, asgjësohen 1230 kg produkte të pasigurta

Kontrolle të shtuara të AUV-së para Pashkëve, asgjësohen 1230 kg produkte të pasigurta

Gazetar: Angell Dimovski

Në prag të festave të Pashkëve, kur konsumi i ushqimit rritet ndjeshëm, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV), përveç kontrolleve të rregullta inspektuese, do të vazhdojë edhe me kontrolle të jashtëzakonshme gjatë ditëve në vijim. Me qëllim që të kontrollohet siguria e ushqimit, ata shtojnë se çdo manipulim nga ana e operatorëve të ushqimit do të sanksionohet rreptësisht.

“Në kushte të kërkesës së shtuar për ushqim për shkak të festave që po afrohen, apelojmë te qytetarët që të jenë konsumatorë të përgjegjshëm dhe të blejnë vetëm nga operatorë të regjistruar për ushqim, të cilët janë nën kontrollin e shërbimeve inspektuese të Agjencisë. Të kenë kujdes në deklaratat e produkteve, në etiketimin dhe afatin e përdorimit, si dhe në regjimin e temperaturës së ruajtjes, veçanërisht për produktet që prishen lehtë, sepse përndryshe ato mund të jenë të pasigurta për qytetarët”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë.

Qytetarët thonë se shpesh ndodh që në dyqanet e lagjes të blejnë produkte me afat të skaduar apo të prishura. Disa prej tyre tregojnë se pasi e blejnë produktin dhe vërejnë se i ka kaluar afati apo është i prishur, shitësit nuk pranojnë t’ua kthejnë.

“Ju ka ndodhur ndonjëherë që në markete t’ju shesin diçka me afat të skaduar? – Si jo, shumë herë. Harrohet, njëherë kështu, njëherë ashtu”, u shpreh një qytetar.

“Më ka ndodhur edhe në markete edhe në dyqane të lagjes të blej produkt me afat të skaduar. Kur doni ta ktheni, jua kthejnë? – Nuk e kam kthyer. Pse? – Sepse nuk kam kohë, as të shkoj, as ta kthej, as të zihem e të dëshmoj”, tha një tjetër qytetar.

Gjatë 350 kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese për shitjen ilegale të produkteve ushqimore të pasigurta dhe tregtinë e paligjshme me to, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë ka shqiptuar gjoba në vlerë prej pothuajse 3650 euro. Pas kontrolleve të kryera, janë asgjësuar 1230 kilogramë produkte të pasigurta, më së shumti mish, përpunime dhe përgatitje nga mishi, por edhe vezë, ngjyra, mjaltë, raki, vaj ulliri dhe produkte të tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button