Konvikti Pellagonia, Janevska paralajmëron përgjegjësi për ish drejtorin
Konvikti Pellagonia, Janevska paralajmëron përgjegjësi për ish drejtorin

Gazetare Ajnur Bafqari
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës është e njoftuar me gjendjen katastrofike në të cilën ndodhet konvikti “Pellagonia” dhe thotë se ajo është si pasojë e menaxhimit jo të mirë e udhëheqësisë së kaluar. Ministrja, Vesna Janevska tha se aktualisht po mblidhen të dhëna dhe pritet të ketë përgjegjësi për ish drejtorin e këtij institucioni.
“Gjithësesi se do të duhet të ketë përgjegjësi…Pasi t’i mbledhim të gjitha të dhënat e nevojshme, do t’i dorëzojmë te institucionet e tjera, të vazhdojnë me veprime të mëtejshme”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Sa i përket borxhit dhe llogarive të bllokuara, Janevska tha se ka komunikim me udhëheqësinë e re dhe po punohet për zgjidhjen e problemit. Ministria aktualisht do të intervenojë me rreth 5 milionë denarë që të punësuarit të mund të marrin pagat.
“Unë i kuptoj studentët që aspak nuk janë fajtorë për këtë gjendje, por ja e informoj opinionin se konvikti ka borxh rreth 34 milionë denarë, të bëra nga udhëheqësia e kaluar dhe menaxhimin absolutisht jo të mirë me konviktin. Ne si ministri do të intervenojmë në këtë moment me ato mjete që mundemi e që ligji na i lejon. Ato janë rreth 5 milionë që të munden të punësuarit të marrin paga”, u shpreh Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Janevska tha se ky nuk është i vetmi konvikt që përballet me një situatë të tillë, por u zotua se të gjitha konviktet një nga një do të rinovohen. Ministrja paralajmëroi edhe kontrolle të shtuara inspektuese, ndërsa paralajmëron edhe ndryshime ligjore për përmirësimin e standardit të studentëve dhe nxënësve. /Alsat.mk