Korridori 8/ Taipi: Dyshime për rrjedhje informacionesh

Korridori 8/ Taipi: Dyshime për rrjedhje informacionesh

Gazetare: Linda Ebibi

Përgjatë trasesë ku kalon Korridori 8, përkatësisht në segmentin një në rrugën Tetovë-Gostivar kanë vijuar ndërtimet private edhe përskaj vendimit që në gjerësi prej 50 metrave nga kalon traseja e korridorit të mos ndërtohet dhe të shpronësohen tokat.

Këtë e bëri të ditur zëvendësdrejtori i “Rrugëve Shtetërore” gjatë intervistës në Alsat, i cili tha se pas dokumentimit të rastit, organet kompetente do të merren me këtë çështje. Për segmentin e tretë Trebenishtë-Qaf Thanë nuk ka as projekt dhe as nuk kanë filluar shpronësimet.

“Mund të them se në segmentin një kemi një rast ku është ndërtuar në muajt e fundit pikërisht në trasenë ku kalon autostrada. Nuk e di se si ka ndodh se si ka marrë leje për ndërtim, por është çështje e cila duhet të evidentohet dhe të procedohet në organet kompetente”, tha Nazim Taipi, Zëvendësdrejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

BDI sot kërkoi që t’i kushtohet vëmendje segmentit të dytë, tunelit në aksin Gostivar-Bukojçani.

“BDI apelon për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Gostivar-Bukojçan duke e vlerësuar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për ndërtimin e Korridorit 8”, u shpreh Ejup Rrustemi, ish-drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, deputeti socialdemokrat Bllagoj Boçvarski tha sot se mënyra se si është zgjedhur të punohet ky projekt përmes modalitetit projekto-ndërto po tregon sukses në terren.

“Ndërtimi i shpejtë i korridoreve Evropiane është i mundur vetëm nëse punohet me FIDIC të modifikuar, ndërtime në faza me ndërtues të fortë i cili ndërton duke projektuar. Vetëm për ilustrim, nëse këtë projekt do ta kishim filluar me FIDIC të kuq tradicional në vitin 2023, punimet reale në terren nuk do të fillonin para vitit 2026. Me këtë model, ky projekt ka filluar në tremujorin e parë të vitit 2023 dhe në fund të vitit 2023 kishte aktivitete në terren”, theksoi Bllagoj Boçvarski, Deputet i LSDM-së.

Ditë më parë rifilluan punimet për Korridorin 8, pas ngecjeve dy vjeçare. Sipas kryeministrit, Hristijan Mickoski punimet në Korridorin 8 do të përfundojnë në afat prej 4 viteve. Për akset ku ka projekt të gatshëm, procedura e shpronësimit pritet të përfundojë deri në fund të vitit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button