Korrupsioni i pranishëm në të gjitha poret e shoqërisë, Gashi: Përgjegjësi për politikanët që e shkelin ligjin

Korrupsioni i pranishëm në të gjitha poret e shoqërisë, Gashi: Përgjegjësi për politikanët që e shkelin ligjin

Gazetar: Mihaillo Donev

Korrupsioni është ende i pranishëm në çdo pore të shoqërisë dhe duhet luftë e përbashkët e institucioneve për ta zhdukur atë. Ky ishte mesazhi kryesor nga eventi që u organizua në kuvend me rastin e ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha se politikanët kanë përgjegjësi për ta luftuar korrupsionin, por edhe për të mbajtur përgjegjësi kur e shkelin ligjin.

“Këtu dua të theksoj se unë mund të jem një nga të paktët politikanë në historinë e Maqedonisë së Veriut që si pjesë e qeverisë propozoi amendament kushtetues që të mos vjetërsohen lëndët për korrupsion politik. Jam thellësisht i bindur se kushdo që e ka shkelur ligjin për interesa personale dhe partiake duhet të japë llogari dhe të përgjigjet para ligjit”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Kryetarja e komisionit Kundër Korrupsionit tha se nevojiten burime dhe investime shtesë në luftën për çrrënjosjen e korrupsionit.

“Ne do të vendosim theks të veçantë në forcimin e ekipeve për kërkime dhe analiza dhe modernizimin e pajisjeve teknologjike që do të na lejojnë të kryejmë detyrat tona në mënyrë më efikase. Krijimi i mjeteve digjitale që do ta reduktojnë faktorin njerëzor dhe do të mundësojnë kontroll më të madh mbi proceset publike”, theksoi Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe disa diplomatë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët në fjalimet e tyre paralajmëruan se korrupsioni në vend është ende i pranishëm dhe se nevojiten reforma urgjente.

“Qytetarët presin luftë efektive kundër korrupsionit. Ata presin të shohin sistem drejtësie të pavarur, në mënyrë që prokuroria ta bëjë punën e saj. Korrupsioni mbetet sfidë në Maqedoninë e Veriut dhe ndikon thellë në ekonomi. Disa qeveri kanë përsëritur angazhimin e tyre për luftën kundër korrupsionit, megjithatë, në mënyrë të pamjaftueshme”, u shpreh Ben Naupnau, Zëvendës Shef i Delegacionit të BE-së.

Ngjarja u pasua me një panel diskutimi ku kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit rikujtoi punën e deritanishme të këtij komisioni, duke sqaruar se në të ardhmen do të vazhdojë të monitorojë dhe zbardhë të gjitha aktivitetet korruptive në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button