Kosova dënon sulmin rus ndaj Ukrainës, Kurti: Sot, ditë tragjike për Evropën

Gazetare: Vjollca Aliti

Pas sulmit rus në Ukrainë, Kosova ka ndërmarrë disa masa në bashkërendim me dhe bashkëpunim të ngushtë me BE-në, NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Alsat.

Kështu tha Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke njoftuar për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Kemi ndërmarrë disa masa dhe disa konkluzione lidhur me bashkërendimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë me perëndimin demokratik në përgjithësi e posaçërisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. por, mua më vjen keq që nuk është e duhur të flas për hollësitë e këtyre konkluzioneve”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Sulmin rus ndaj Ukrainës e kanë dënuar edhe presidenti shqiptar Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. E përderisa Kosova e Shqipëria dënojnë sulmin, lidershipi në Serbi i pavendosur nëse do t’iu bashkëngjitet sanksioneve ndaj Rusisë.

Ish kreu i Kuvendit dhe kryetari i Partisë Socialiste Ivica Daçiç tha se Serbia nuk guxon t’i bashkohet dënimeve dhe sanksioneve të ndryshme ndaj Rusisë, duke arsyetuar këtë qëndrim me bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

“Serbia duhet të mbajë llogari për interesat e saj kombëtare dhe shtetërore. Serbia nuk duhet thjeshtë t’I bashkohet dënimeve, sanksioneve aq më tepër që vendet të cilat kërkojnë nga Serbia nuk ishin korrekte kur vendi ynë u sulmua në vitin 1999”, u shpreh Ivica Daciq, Partia socialiste e Serbisë.

Presidenti Serb Aleksandar Vuciq ka thënë se Serbia është në një situatë shumë të vështirë dhe nën presion të madh për t’u anëtarësuar në BE dhe për të dënuar lëvizjet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, si dhe për të kërkuar që vendi I tij të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Ai sot sërish mblodhi këshillin e sigurisë kombëtare.

Në kohën kur NATO dhe BE janë bashkuar për të dënuar pushtimin rus në Ukrainë, pjesëtarë të aleancës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të vazhdojnë të luajnë rol për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Dhe kjo mbetet edhe tash. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate përgjatë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur nëse aleanca do të rrisë praninë në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim eventual të situatës. NATO në Kosovë ka një mision ushtarak përmes KFOR-it në të cilin marrin pjesë edhe trupa nga vendet partnere që nuk janë anëtare të aleancës.

Ndërkohë edhe Forca e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë, e njohur si EUFOR, ka bërë të ditur se do të angazhojë rreth 500 pjesëtarë shtesë në këtë shtet, si masë mbrojtëse. Në njoftim, EUFOR ka thënë se vendimi është marrë për të mbështetur në mënyrë më efikase partnerët në Bosnje dhe për të siguruar një ambient të sigurt./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button