Kosova kërkon mrekullinë ndaj Zvicrës, Gliha: Te jemi inteligjent dhe të luajmë mirë
Kosova kërkon mrekullinë ndaj Zvicrës, Gliha: Te jemi inteligjent dhe të luajmë mirë

Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në Bazel, do të zhvillojë përballjes e radhës në kuadër të eliminatoreve për “EURO 2024”, kundër kombëtares së Zvicrës. Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, megjithë mungesat e rëndësishme, “Dardanët” shfaqen të vendosur dhe maksimalisht të motivuar për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Përzgjedhësi Primozh Gliha dhe futbollisti Florent Hadërgjonaj kanë shprehur bindjen e tyre për një sfidë të vështirë ndaj Zvicrës, por me shpresë për rezultat pozitiv. Sfida Zvicër-Kosovë, do të nis në orën 20.45.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse në Prishtinë luajtëm baras, ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne e mposhtëm Izraelin, por izraelitët treguan se janë të fortë pasi barazuan me Zvicrën. Presioni do të jetë shumë i madh pasi do të kemi përkrahje të madhe të publikut. Nëse duam të arrijmë rezultat pozitiv, duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të dimë si të luajmë, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë”, tha Primozh Gliha, trajneri i Kosovës.
“Për mua është ndeshje speciale, pasi kam lindur dhe jam rritur këtu. Nuk do ta harroj gjatë tërë jetës sime pasi do të kem shumë familjarë në tribuna. Nuk do të jetë një situatë e tillë vetëm për mua, por edhe për shumë bashkëlojtarë. Me padurim presim ndeshjen, pasi në stadium do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë do ta gëzojmë popullin Kosovar”, deklaroi Florent Hadergjonaj, futbollist i Kosovës. /Mahir Thaçi