Kosova mbyll institucione paralele serbe në disa komuna
Kosova mbyll institucione paralele serbe në disa komuna

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit. Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt. “Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale. Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”. Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar. /Alsat.mk