Kosova nuk ka kërkuar transferimin e të dënuarve në rastin “Lagjja e Trimave”

Kosova nuk ka kërkuar zyrtarisht transferimin e 20 shtetasve të saj të dënuar për rastin Lagjja e Trimave në Kumanovë. Përveç mungesës së komunikimit mes dy dikastereve të Drejtësisë, Republika e Kosovës për një çështje të tillë nuk ka shfaqur interes as në mbledhjen e fundit të dy Qeverive, të mbajtur ditë më parë në Shkup.


“Nuk kemi biseduar për një gjë të tillë. Nuk mundem tani të them asgjë. Ne kemi marrëveshje për një mundësi të tillë me Kosovën, për një transfer të tillë. Megjithatë për momentin nuk ka asnjë vendim”-deklaroi Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Konventa për transferimin e personave të dënuar e miratuar nga Këshilli i Evropës më 21 mars të vitit 1983, i mundëson shtetit, nënshtetas i të cilit është personi i dënuar të kërkojë riatdhesimin e personit të dënuar në një shtet tjetër. Ndaj kërkesës së shtetit amë, shteti ku i dënuari vuan masën ka të drejtën e vendimit mbi bazën e sovranitetit, që nënkupton kërkesa mund të mos pranohet.

Konventa për Transferimin e Personave të Dënuar

“Transferimi mund të kërkohet jo vetëm nga shteti ku është dhënë dënimi (shteti ndëshkues), por edhe nga shteti, nënshtetas i të cilit është personi i dënuar (“shteti administrues”), duke i mundësuar, në këtë mënyrë, këtyre të fundit të kërkojnë riatdhesimin e shtetasve të vet. Transferimi bëhet me pëlqimin e personit të dënuar. 

Saktësisht para dy viteve, më 17 shtator të vitit 2019 Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e shkallës së parë me 746 vjet burg ndaj 37 personave, shumica prej tyre shtetas të Kosovës. Tani lënda ndodhet në Gjykatën Supreme, ku pritet vendimi i shkallës së lartë ndaj ankesës së mbrojtjes nga Apeli. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut insiston në ekstradimin Afrim Ismailoviq dhe Alili Demiri, të dënuar me burg për përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në Smillkov të Shkupit në prill të vitit 2012. Mariçiq thotë se kërkesa për ekstradim është aktive.

“Ne kemi kërkesë aktive për ekstradim. Informacionet nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë janë se Gjykata Supreme në Kosovë duhet të vendos nëse do të ndodh ky ekstradim. Kemi dorëzuar të gjitha provat sepse disa prej tyre janë dënuar në mungesë. Vendimi më tej i përket autoriteteve kosovare”- pohoi Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Por Alsat mëson se autoritetet e Kosovës nuk kanë kërkesë aktive të Maqedonisë së Veriut. Kërkesa e fundit është adresuar më 30 janar të vitit 2021. Tre muaj më vonë Departamenti Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar ekstradimin e Ismailoviq me arsyetimin e mungesës së provave për veprën me të cilën ngarkohet dhe që nga autoritetet maqedonase është shpallur fajtorë. Demiri dhe Ismailoviq ndodhen në arrati që nga viti 2012. Ata u dënuan në mungesë, ndërsa nuk ishin prezent as gjatë procesit të rigjykimit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button