Kosova nuk lëviz nga qëndrimet për dinarin
Kosova nuk lëviz nga qëndrimet për dinarin

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.
Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.
Ai tha se Beogradi ka ngritur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij.
“Ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, shtoi Kurti.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Presidenti serb tha se me ndalimin e dinarit në Kosovë, pamundësohet funksionimi i institucioneve kyçe për serbët në Kosovë.
“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”, tha Vuçiq.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së për katër muaj, njëjtë sikur kishte ndodhur me kampanjën për liberalizimin e vizave.
“Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Më herët, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se pavarësisht se vendimi për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin vetëm të valutës euro për pagesa në Kosovë është marrë më 27 dhjetor 2023, por u kumtua në janar të këtij viti, Uashingtoni nuk ka qenë i informuar paraprakisht për të.
Hovenier tha se nëse do të ishin në dijeni të miratimit të kësaj rregulloreje – që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa – Uashingtoni do të ishte i gatshëm që të diskutonte me Qeverinë e Kosovës për sfidat e një vendimi të tillë.
“Nëse Qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla”, tha Hovenier.
Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të ndërkombëtarëve për ndikimet që mund të ketë te komuniteti serb, pasi që kjo rregullore pamundëson kryerjen e pagesave me dinarë serbë.