Kosova nuk po arrin të konstituojë Kuvendin, me qëllim që të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re

Kosova nuk po arrin të konstituojë Kuvendin, me qëllim që të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re

Kosova, pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, nuk ka formuar institucionet e reja. Partitë politike nuk po arrijnë të merren vesh për zgjedhjen e trupave të legjislativit që do t’i hapte rrugë pastaj formimit të qeverisë. Mbrëmë Kuvendi dështoi për herë të 42-të. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese obligon deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje thotë se nëse zgjidhen trupat e legjislativit, atëherë qeveria Kurti III, do të formohet pasi numrat për shumicë të thjeshtë ekzistojnë.

“Sa i përket ekzekutivit, numrat për qeverinë Kurti III janë dhe është e mundur formimi i një qeverie me mandat të ri. Mbetet të shihet, por duhet të tejkalohet kjo procedurë e konstituimit të Kuvendit, e cila u zgjat padrejtësisht ndaj qytetarëve dhe proceseve të tjera që po ngecin”, tha Mimoza Kusari Lila, Vetëvendosje.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se vendit nuk i konvenojnë zgjedhjet e reja

“Kosovës, ekonomisë dhe situatës politike dhe strategjike të Republikës së Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet. Por Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në çfarëdo situate, si kurrë më parë, e mobilizuar dhe përgatitur”, tha Ferat Shala, PDK .

Kategorik kundër zgjedhjeve të reja është nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

“Unë nuk jap votë për shpërndarje. Kosova s’ka komoditet të shkojë në zgjedhje sa herë kërkesat dhe egot e liderëve politikë. Kosova nuk është shumë e pasur që çdo tre muaj të harxhojë kah shtatë milionë euro në zgjedhje”, tha Lutfi Haziri, LDK .

Koalicioni i Lëvizjës Vetëvendosje, Lëvizjës Guxo dhe Alternativa, si të parët në zgjedhje, kanë të drejtën e propozimit të kryekuvendarit, mirëpo propozimi i tyre, Albulena Haxhiu, në gjashtë raste në votim të hapur, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme. Si pasojë e kësaj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka marrë vendim që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet në votim të fshehtë. Një gjë e tillë nuk pranohet nga partitë që deri tani ishin në opozitë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button