Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë

Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Manifestimet për shënimin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës filluan me parakalimin e pjesëtarëve të dhe Policisë në sheshet e Prishtinës.

Në seancën solemne në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani tha se përgjatë 15 vjetëve të shtetësisë, Kosova është forcuar si vend i ri, ndërsa sfidat e kanë forcuar qëndrueshmërinë e shtetit. Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.

“Pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike spektri politik vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë apo të pengojnë përparimin e tij”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj kritikoi Serbinë se nuk është tërhequr nga agresioni.

“Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori e as agresioni dhe as ka ndalur aktivitetin e saj kundër njohjes së Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë duhet të bashkëpunojë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon”, u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se akti i deklarimit të pavarësisë shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës.

“Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtet ndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Krerët e shtetit ndaluan në Prekaz për të nderuar veprën e familjes Jashari. Kryeministri Kurti tha se Prekazi është kryeqendra e kryengritjes së shqiptarëve.

“Prishtina është kryeqytet i Republikës, por Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tonë tregon që rruga jonë përpara gjithmonë e ka në mendje dhe kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që gëzojmë”, shtoi ai.

Në Prekaz u mblodhën edhe mijëra qytetarë nga të gjitha viset shqiptare

“Ne jemi nga Shqipëria dhe vijmë nga Elbasani. Kemi ardhur për pavarësinë e Kosovës…Atmosfera është shumë e bukur dhe kjo ndjesia të jep diçka prekëse…Kur i shikon të gjithë të një familjeje, ndjen shumë dhimbje”, tha një qytetare.

“Kam ardhur sot për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kam ardhur me qefin më të madh me shoqëri prej Fierit. Ky vend është la me gjak, duhet punuar me pastërti më të madhe dhe të punohet për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi një tjetër.

“Nuk mundem me përshkruar këtë gëzim kaq të madh sepse është nder për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen ta vizitojnë këtë familje të kombit”, tha një qytetar.

Në mesin e shumë qytetarëve që bënë homazhi ishte edhe kandidati për president të Serbisë Nikolla Sandulloviq.  Pas homazheve ai tha se do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm ndaj shqiptarëve të përgjigjen.

“… në emër të Serbisë së ndershme, të kërkoj një ndjesë të madhe dhe të kërkoj falje për të gjitha krimet e kryera nga Millosheviqi dhe kjo qeveri aktuale në Serbi, që kanë bërë ndaj jush. Do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm ndaj jush dhe të pafajshme për ardhjen time në pushtet të përgjigjen”, theksoi Nikolla Sandulloviq, Ish kandidat për president të Serbisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas MPJ-së, 117 vende të botës e kanë njohur atë. Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button