Kosova shënon 24 vjetorin e Çlirimit

Kosova shënon 24 vjetorin e Çlirimit

Gazetare: Semra Musai

Kosova shënon 24-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Fushata bombarduese, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

“Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele. Po ashtu për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

“Kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Pikërisht në ditën e Çlirimit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i bëri thirrje edhe njëherë Kurtit që të reflektojë dhe t’i japë fund grindjes me aleatët, që ai e quan absurde.

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkruan Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak ditë më parë gjithashtu tha se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Makron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Sholc. Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Rama. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button