Kosovë: 2 mijë e 708 raste të reja me koronavirus

Kosovë: 2 mijë e 708 raste të reja me koronavirus

Numër rekord i rasteve, që nga fillimi i pandemisë, është shënuar këtë të enjte.

Nga 10 mijë e 833 testime të bëra brenda një dite, 2 mijë e 708 prej tyre kanë rezultuar pozitive derisa një person ka vdekur.

Kjo shifër lë pas rekordin e verës së 2021, ku për 24 orë u shënuan 2 mijë e 541 raste me koronavirus.

Krahas rasteve pozitive me COVID-19, është rritur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.

Derisa një ditë më parë, numri i atyre që janë duke u trajtuar në klinika ishte 90, të enjten ka arritur në 100.

Prej tyre, 70 të konfirmuar me COVID- 19 dhe 30 të tjerë post- COVID-19.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, të hospitalizuara janë edhe 6 shtatzëna të infektuara me koronavirus, që të gjitha të pavaksinuara.

Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili, ka bërë të ditur se gjendja e tyre është stabile dhe mbetet të vërtetohet nëse janë të infektuara me ndonjërin nga variantet.

“Vaksinimi është i detyrueshëm, është i domosdoshëm për cilën do periudhë të shtatzënisë por edhe ato që planifikojnë të mbesin shtatzënë por edhe gji dhënëset”, ka deklaruar ai.

Në 24 orët e fundit janë vaksinuar 4 mijë e 731 persona, derisa numri i rasteve aktive me koronavirus është 9 mijë e 771.

LEXO EDHE:

Back to top button