Kosovë/ KOMF: Ditëve të fundit është vënë re rritje e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë

Kosovë/ KOMF: Ditëve të fundit është vënë re rritje e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka thënë se ditëve të fundit është vënë re një rritje e rasteve të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë, sidomos në orët e vona të natës.

“KOMF shpreh shqetësim për situatën e rëndë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë apo punojnë në rrugë. Ditëve të fundit është vënë re një rritje e rasteve të fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë, sidomos në orët e vona të natës. Fëmijët po përballen me një sërë rreziqesh serioze për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët nën tre vjeç dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të larta mbi 35 grad celcius gjatë ditës. Fëmijët në situatë rruge janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional. Fëmijët po kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.”

KOMF i ka bërë thirrje komunave që të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve në rrugë.

“KOMF i bën thirrje komunave dhe institucioneve komunale që të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve në situatë rruge. KOMF i bën thirrje prindërve që të mos keqpërdorin dhe shfrytëzojnë fëmijët për kërkim të lëmoshës dhe për punë të rënda. Shfrytëzimi i fëmijëve përbën vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Kosovës.”

Po ashtu KOMF i ka bërë thirrje qytetarëve, sidomos atyre që vijnë nga diaspora, që të mos u japin lëmoshë fëmijëve.

“KOMF i bën thirrje qytetarëve, sidomos atyre që vinë nga diaspora, të mos ofrojnë lëmoshë për fëmijët. Dhënia e lëmoshës mund të nxisë edhe më shumë daljen e fëmijëve në rrugë dhe kështu rrezikohet shëndeti, mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve.”

LEXO EDHE:

Back to top button