Kosovë, opozita i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit
Kosovë, opozita i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit

Gazetare: Xhesika Sallahi
AAK-ja ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kërkesa, e paraqitur nga deputetë nga radhët e AAK-së dhe e mbështetur edhe nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së erdhi në mes të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk është konstituuar as pas 14 përpjekjeve rresht, kur kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet. Duke konsideruar që është shkelje ligjore, po mendojmë që po zhvleftësohet vlera e Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur seanca plenare çdo 48 orë, dhe seanca [me të cilat] konsiderojmë që po shkelet Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi Time Kadrijaj, Deputete e AAK-së.
Më 1 maj, në përpjekjen e nëntë për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të ndërrohej dhe të bëhej në mënyrë të fshehtë, dhe kërkoi formimin e një komisioni ad-hoc për mbikëqyrjen e votimit.
Ky propozim u refuzua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Propozimi i kryesuesit të seancës u bë teksa e propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Kushtetuta i jep të drejtë partisë fituese të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, dhe kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, përsëriti ditë më parë se partia nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut, duke thënë se është detyrë e të gjitha partive parlamentare ta konstituojnë Kuvendin. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. /Alsat.mk