Kosovë, partitë politike nisin fushatën zgjedhore
Kosovë, partitë politike nisin fushatën zgjedhore

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Partitë politike në Kosovë kanë nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Vetëvendosje mbajti mbrëmë tubim në Mitrovicë nga ku Kurti tha se nuk do të ketë më sundim të bandave kriminale.
‘Dy zemra t’i kisha pas, të dyja t’i kisha falë ty Mitrovicë’, u shpreh Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes
Kështu kryeministri i Kosovës dhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti e nisi fushatën në Mitrovicë. Para mijëra simpatizantëve të Vetëvendosjes, Kurti tha se në veri nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale e prodhim të kriptovalutave. Kurti tha se qeveria e tij aleancën me perëndimin e ka shfrytëzuar për ta forcuar ushtrinë dhe për ta mbrojtur kufirin e Kosovës.
“Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale, ngritje të barrikadave, prodhim të kriptovalutave. Gjatë këtyre më pak se katër vite, 65 kilometra rrugë të asfaltuara janë shtruar në veri edhe 100 kilometra tjerë janë në proces. Në veri të Ibrit janë regjistruar vetëm në vitin që lamë pas 300 biznese të reja dhe qindra qytetarë janë punësuar. 500 mijë zemra te numri 118 janë zgjidhja e vërtetë, janë fitorja cep më cep. Për këta tri vjet kemi mbështetur Trepçën tonë e tuaj të dashur me mbi 30 milionë euro”, tha Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.
“S’ka më barrikada, s’ka më alarme e kamera ilegale, nuk ka më struktura paralele, targa ilegale, nuk ka banda e kriminelët, thënë shkurt, në Kosovë s’ka më Serbi”, theksoi Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm.
PDK-ja fushatën e zhvilloi në Ferizaj. Kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër Bedri Hamza premtoi zhvillim më të mirë në ekonomi, arsim, shëndetësi e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Do të rrisim pagat 50 për qind. Rritja e pagave nuk është bujari e bamirësi, por detyrim i çdo qeverie që njerëzit të mos e lëshojnë Kosovën. Do të ketë rritje prej 50 për qind për familjet e dëshmorëve, invalid të luftës, rritje 50 për qind për veteranët e luftës, rritje të pensioneve, për nënat e reja 100 euro subvencione për çdo fëmije që shkon në çerdhe private”, u shpreh Bedri Hamza, Kandidat i PDK-së për Kryeministër.
Koalicioni i Aleancës me partnerët, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj fushatën e nisën me një tubim në Prishtinë. Limaj ftoi qytetarët të bashkohen rreth këtij koalicioni në mënyrë që t’i krijojnë vepra të mëdha.
“Ne e bën ligjin e ushtrisë, koha është që ushtrinë tonë ta qojmë në NATO dhe ky koalicion do ta bëjë. Ne lamë vepra, vepra jonë është ligji për Trepçën, ne duam që ta rikthejmë krenarinë e Kosovës, promotorin e zhvillimit, Trepçën tonë. Ne bën autostradën Arbër Xhaferi, duam ta vazhdojmë ta kryejmë autostradën e Gjilanit dhe Vitisë. Ne bëmë veprën e madhe; autostradën e kombit, duam ta bëjmë autostradën e Dukagjinit”, theksoi Fatmir Limaj, Nisma Socialdemokrate.
LDK-ja fushatën e nisi dy ditë më parë duke kritikuar qeverinë për keqmenaxhim. Lumir Abdixhiku premtoi investime miliarda euroshe për katër vitet e ardhshme.
“Në siguri dhe mbrojtje do të kemi 10 mijë policë, pra polic për secilën lagje e vend në Kosovë. Do t’i kemi 6 mijë ushtarë, katër kazerma të reja ushtarake… Do të investojmë mbi 1 miliardë euro në infrastrukturë rrugore nga unaza e kryeqytetit tek përfundimi i të gjitha rrugëve rajonale”, deklaroi Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Fushata e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ka nisur më 11 janar. /Alsat.mk