Kosovë, qytetarët me orë të tëra pa energji
Kriza energjetike në Kosovë po lë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi. Situata është e rëndë edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku qytetarët ankohen se reduktimet po zgjasin me ditë, ndërsa kryetari kësaj komune, Mehmet Ballazhi thotë se po dëmtohen edhe bizneset. Ballazhi për KosovaPress, thotë se nuk kanë orar se kur ndërpritet energjia elektrike dhe kjo po shkakton probleme pasi nuk i lë hapësirë që qytetarët të përgatiten paraprakisht për kohën kur nuk ka furnizim me energji.
“Në fakt ka që 2-3 ditë që ka filluar reduktimi me rrymën dhe e keqja e krejt asaj se ne nuk po kemi një orar të caktuar, ose nuk po kemi një informacion për orarin e reduktimit të rrymës. Me këtë rast kisha shfrytëzuar këtë kohë që t’i bëj apel, të bëj thirrje, të kërkoj që së paku të kemi një orar, të dimë se kur ndalet rryma që qytetari të jetë me i përgatitur me problemet që mund të paraqiten për shkak të reduktimit të rrymës. Ka reduktime pa orar dhe kjo na shkakton probleme në përgjithësi”- tha Mehmet Ballazhi, kryetar i Hanit të Elezit: Ka reduktime pa orar.
Qytetarët shprehen të mllefosur me reduktimet e energjisë, duke thënë se nuk kanë furnizim me ditë të tëra. Enver Kaliqi, banor i Hanit të Elezit, tha se ndërprerja e rrymës është gjithmonë shtatë orë.
“Kjo Kosovë kish pas me vagona pare edhe mall, por janë duke e keqpërdor djersen e popullatës. E populli sot vuan për bukë e këta bëjnë hajgare me rrymë, me krejt senet. Edhe nuk ka rrymë që 24 orë, pa rrymë jena”
“Po na thonë çdo dy orë por është problemi që dy ditë nuk kemi rrymë është problem i madh, është tmerr”.
“Dje nuk ka pas shtatë orë të na, tre herë ka dy orë e diçka po bëjnë shtatë orë. Herë 06 mëngjes, 12 aksham, prapë në gjashtë, shtatë orë ndalet, gjithë ndalet kështu”.
Për të hënën janë paralajmëruar protesta për shkak të kufizimeve të furnizimit me energji elektrike. Për shkak të krizës energjetike, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme më 28 dhjetor. Në rend dite është shqyrtimi i vendimit të djeshëm të Qeverisë për Masat Emergjente për kufizim të furnizimit me energji.








