Kosovë, ratifikohet marrëveshja për pavarësi energjetike
Kosovë, ratifikohet marrëveshja për pavarësi energjetike

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës. Kjo marrëveshje e miratuar, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit Alice Albright, në prezencë edhe të presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti. Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë. Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.
“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
“Kemi punuar bashkë në mënyrë për të siguruar furnizimin me energji dhe rrugën drejt burimeve të ripërtëritshme. Jemi për vlerat tona demokratike dhe kundër agresionit rus mbi Ukrainë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në një moment të rëndësishëm për sektorin e energjisë. Për herë të parë në strategjinë tonë u shkrua rruga drejt dekarbonizimit të vendit. Po punojmë për të garantuar një furnizim energjie që është i përballueshëm për të gjithë”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës./Alsat.mk