Kosovë / Sami Lushtaku kandidat i PDK-së për Skenderaj

Kosovë / Sami Lushtaku kandidat i PDK-së për Skenderaj

Sami Lushtaku ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar komune të Skenderajt në zgjedhjet lokale të tetorit. Ai ka bërë të ditur se kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë e ka mbështetur në mënyrë unanime atë.

Lushtaku ka thënë edhe se kandidatura e tij vjen edhe si rezultat i padrejtësive që janë bërë ndaj tij në të kaluarën, ku ka përmendur mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm. Po ashtu, Lushtaku ka përmendur edhe moslejimin e kandidaturës së tij në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, siç ka thënë ai ‘‘për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje’’.

‘‘Unë i kam borxh të përjetshëm Skenderajt, qytetarëve të tij dhe çdo njeriu që e ka në zemër Drenicën. Kandidimi im është thirrje për bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt. Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë kurse programin e plotë do ta paraqes gjatë javëve të ardhshme’’, ka shkruar ai.

Postimi:

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Sot, Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj, në mënyrë unanime, mbështeti kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ky vendim i imi erdhi si përgjigje ndaj besimit tuaj të vazhdueshëm ndaj meje në çdo palë zgjedhje, prej që jam futur në politikë.

Kandidatura ime vjen edhe si rezultat i padrejtësive ndaj meje në të kaluarën, përfshirë mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm, si dhe më pas, moslejimi i kandidaturës sime në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje.

Të dashur qytetarë,

Unë jam prej atyre njerëzve që nuk ndalen.

Unë i kam borxh të përjetshëm Skenderajt, qytetarëve të tij dhe çdo njeriu që e ka në zemër Drenicën.

Kandidimi im është thirrje për bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt.

Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë kurse programin e plotë do ta paraqes gjatë javëve të ardhshme.

Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin aktual të komunës, Fadil Nura, për punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe.

Duke qenë mirënjohës përjetë për besimin dhe mbështetjen tuaj ndaj meje dhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, do të jemi bashkë si gjithmonë në çdo proces!

Faleminderit përjetësisht!

SL

LEXO EDHE:

Back to top button