Kosovë, vazhdojnë protestat për vrasjen e 18-vjeçares

Në Prishtinë është protestuar kundër vrasjes së 18 vjeçares Marigona Osmani por edhe kundër dhunës ndaj grave në Kosovë. Në protestën e organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” është kërkuar që vrasja e grave në Kosovë “të trajtohet si urgjencë kombëtare”. Organizatorët e protestës thanë se vrasja e 18-vjeçares, përveç tmerrit që shkakton, është alarmi i fundit për shtetin që të kthejë vëmendjen te jeta dhe siguria e grave. Para një jave në Ferizaj, Marigona Osmani  ishte rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa. Ai më pas është arrestuar nga policia ndërsa akti ka nxitur reagime të shumta në opinion i cili ka kërkuar dënimin maksimal për autorin e këtij krimi të rëndë ndërsa institucionet janë kritikuar për neglizhencë ndaj rasteve të tilla.

“Monitorim, sanksionim, shkarkim të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore, sipas Kodit Penal dhe Konventës së Stambollit. Kërkojmë llogaridhënie nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës për këto raste të shkeljes, plan konkret nga Qeveria e Kosovës për luftimin e dhunës me bazë gjinore”- deklaroi Kaltrina Fejzulluhau, aktiviste.

“Vrasja e Marigonës nuk mund të lexohet ndryshe, veçse si një tjetër rast i femicidit. Pra, edhe një vrasje në vargun e vrasjeve të qëllimshme të grave, pikërisht sepse ato janë gra. Edhe ky rast, sikurse rastet tjera, ka ndodhur pikërisht me ndërmjetësimin e shtetit patriarkal, i cili me të gjitha forcat e institucionet e tij po mirëmban dhe ushqen norma e praktika shtypëse, të cilat i dhunojnë gratë sistematikisht, për t’ua marrë jetën në fund”- pohoi Bjeshkë Guri, aktiviste.

 

LEXO EDHE:

Back to top button