Kosovë/ Zgjedhjet parlamentare pas një jave
Kosovë/ Zgjedhjet parlamentare pas një jave

Gazetare: Xhesika Sallahi
Intensifikohet fushata zgjedhore në Kosovë meqë edhe një javë i ndan qytetarët të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Fushata e kandidatëve për kryeministër kryesisht është fokusuar në premtimet për investime në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë, çështje mjedisore, bujqësi, sport, paga dhe rritje pensionesh. Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, me sloganin “Cep më cep” është zotuar se do të rrisë pensionet, e do të ndërtojë spitale.
“ 100 euro shtesë mbi pensionin ekzistues, për gjeneratën e pleqve tanë, gjysheve, gjyshërve. (3.55- 4.04) Përveç spitalit në Ferizaj, do ta ndërtojmë edhe spitalin në Mitrovicë, e deri në 100 milionë euro buxhet për listën e barnave esenciale”, tha Albin Kurti, kryeministër.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, me në krye Bedri Hamzën, në programin e saj zgjedhor, zotohet për zhvillim ekonomik dhe mbështetje të të rinjve në arsim.
“Në fokus e kemi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sepse ky vend duhet me u zhvillu ekonomikisht, duhet me pas ndërmarrës të fortë, biznese të forta, të zhvilluara me qëllim që të hapen vende të reja të punës, që të rejave dhe të rinjve tanë pasi që të kryejnë fakultetin, tu mundësohet që të kenë një vend pune”, u shpreh Bedri Hamza, Partia Demokratike e Kosovës.
Partia tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prekur kryesisht çështjen e pagave, pensionistëve e punonjësve.
“Betejën e punëtorëve kosovarë që përkundër kushteve të rënda, pagave të ulëta, përkundër pasigurisë në punë, janë punëtorët më të mirë, më të zotë, më të fortë se secili punëtorë në Evropë. Janë forca jonë kombëtare drejt zhvillimit, progresit, prosperiteti”, Lumir Abdixhiku, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është zotim i asnjërit kandidat për kryeministër të Kosovës. Megjithatë, kandidati nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndër pikat kyçe, ka qendërzuar fokusin në anëtarësimin në NATO.
“Po ju garantoj se edhe pse s’jam kryeministër, por si opozitar kam punuar për anëtarësim në NATO. Ju garantoj se me qenë kryeministër, po ju siguroj se e përfundojë më mirë dhe shpejt se kushdo tjetër në këtë vend”, tha Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Partitë, energjitë i kanë përqendruar kryesisht te politika e brendshme dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit. Fushata e tyre për t’i bindur qytetarët që të votojnë, nisi zyrtarisht më 11 janar. Në garë janë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë të parat të rregullta që do të mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, më 2008./Alsat.mk