Kosova miratoi rezolutën, me të cilën e dënon agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Me mesazhin “Ne jemi me Ukrainën”, dhe një minutë heshtje për të nderuar viktimat e luftës atje, deputetët e Kuvendit të Kosovës e nisën seancën ku miratuan rezolutë me të cilën dënuan agresionin rus në Ukrainë duke e cilësuar si sulm mbi botën e civilizuar, shkruan Alsat.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kreu i PDK-së opozitare Memli Krasniqi kërkuan nga Qeveria që sa më parë të përgatisë aplikacionin për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Evropës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar dhe nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë. Ai paralajmëroi përshpejtimin e procedurave të aplikimit në BE dhe NATO.
Kosova ka nisur fushatë për anëtarësimin e saj në NATO. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është një nevojë urgjente, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Duke folur në një ngjarje në Kragujevc të Serbisë, Vuçiq tha se ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe. Sipas tij, kjo është “ide e lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të NATO-s dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”./Alsat.mk