Kostadinoski: Një ligj i ri për Gjykatën Kushtetuese është më se i domosdoshëm
Kostadinoski: Një ligj i ri për Gjykatën Kushtetuese është më se i domosdoshëm

Gazetar: Mihajlo Donev
Gjykata Kushtetuese është institucioni më pak i reformuar në vend që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinoski, në debatin mbi nevojën e një ligji për Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, një ligj i ri është më shumë se i domosdoshëm, me qëllim që t’i garantohet kësaj gjykate pavarësi më e madhe.
“Jam për një ligj për Gjykatën Kushtetuese, por jo çfarëdo ligji. Pra, ose me ndërhyrje në Kushtetutë të jepet bazë kushtetuese për një ligj me shumicë prej dy të tretash, ose ligj kushtetues për konkretizimin e dispozitave kushtetuese. Këto janë dy mundësi. Sepse na nevojitet një shumicë prej dy të tretash që të na garantojë pavarësinë dhe të pengojë ndërhyrjet dhe mundësitë për ndikime politike”, deklaroi Darko Kostadinoski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Siljanovska e cila mori pjesë në debat tha se mos-reformimi i Gjykatës Kushtetuese ka kontribuar që kjo gjykatë të keqpërdoret nga politikanët.
“Kjo gjendje u ka mundësuar autoriteteve politike, që nga përbërja e parë parlamentare deri te ajo e fundit, të ushtrojnë ndikim përmes “juristëve të pa afirmuar”. Kështu, ne e kemi humbur mundësinë që Gjykata Kushtetuese të zhvillohet në pushtetin e katërt, si korrektues veçanërisht i marrëdhënieve midis tre pushteteve”, deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova, presidente.
Sipas ambasadores amerikane në vend, pavarësisht nëse do të ketë reforma apo një ligj krejtësisht të ri, është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të funksionojë në mënyrë të pavarur.
“Maqedonia e Veriut dhe Kushtetuta e saj janë baza për institucionet demokratike në këtë shtet dhe garantues i të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj. Roli i një Gjykate Kushtetuese të pavarur është që ta mbështesë këtë përmes vendimeve të saj, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për një demokraci të shëndoshë”, tha Angela Ageler, ambasadore e Amerikës.
Në debat morën pjesë edhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, si dhe ambasadorja e Gjermanisë në vend. /Alsat.mk