Kovaçevski: Individë të caktuar bllokuan punën e EVN-së në Sllupçan

Kovaçevski: Individë të caktuar bllokuan punën e EVN-së në Sllupçan

Gazetar: Mefail Ismaili

Persona të caktuar kanë organizuar bllokimin e punës së EVN-së në fshatin Sllupçan dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi. Kështu ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili tha se për bllokimin e punës dhe rrugëve të fshatit nuk janë përgjegjës të gjithë banorët, por individë të caktuar. Ai tha se punonjësit e EVN-së kanë marrë garanci nga autoritetet lokale për të kryer pa pengesë punën e tyre.

“Për shkak se punonjësit e EVN-së kërkuan garanci që të mund të hyjnë, që persona të caktuar të mos i pengojnë, vetëqeverisja lokale e cila përbëhet nga përfaqësues të partive politike ua dha këto garanci. Po ashtu edhe ministria e Punës së Brendshme. MPB pa pengesë e kryen punën e saj në territorin e komunës së Likovës. Atje ka stacione të policisë të cilat 24/7 funksionojnë dhe tani punohet në terren në komunën e Likovës, respektivisht në fshatin Sllupçan”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

EVN u pengua disa herë për të kryer rinovimin dhe modernizimin e përçuesit të energjisë elektrike në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës. Dy ditë më parë, një numër i caktuar i banorëve sapo vërejtën punonjësit e EVN-së në fshat i larguan ata nga fshati, e më pas u tubuan në rrugë për të bllokuar hyrjen në fshat. Por ashtu, penguan edhe punën e mediave, duke kërcënuar ekipin e TV Alsat që të largohet dhe të mos filmojë. Po atë ditë, siç konfirmuan nga EVN, disa banorë kishin sulmuar trafo stacionet e EVN-së gjë e cila la pa energji elektrike shumë fshatra të Komunës së Likovës si dhe pikën kufitare Tabanocë.

Gjatë ditës së djeshme banorët e fshatit Orizarë kanë protestuar para zyrave të EVN-së në Kumanovë, por u informuan se së shpejti do të zgjidhet problemi me banorët e fshatit Sllupçan.

Për momentin ekipet e EVN-së janë duke punuar në rajonin e Komunës së Likovës, më konkretisht në fshatin Sllupçan, ku siç thonë, bëjnë rikonstruimin dhe modernizimin e rrjetit përçues të energjisë elektrike, me çka konsumatorët do të marrin shërbime më cilësore dhe fatura reale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button