Kovaçevski nuk pret Alternativën, çon emrat në kuvend

Kovaçevski nuk pret Alternativën, çon emrat në kuvend

Gazetar: Mefail Ismaili

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dorëzoi në Kuvend propozimin për ministrat dhe zv/ministrat e rinj në kabinetin e tij qeveritar. Kovaçevski nuk e priti përgjigjen e Alternativës dhe ia dha ministritë e saj ASH-së. Ndërrohen gjithsej 4 ministra. Në Shëndetësi propozohet Fatmir Mexhiti, në Drejtësi Krenar Lloga dhe në ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, që të tre nga ASH. Kjo parti do të ketë edhe dy zëvendësministra. Tiron Jajaga është propozuar si zv/ministër i Mbrojtjes, ndërsa profesoresha e letërsisë Vjollca Berisha propozohet zv/ministre e Bujqësisë.  LSDM merr nga BDI-ja Ministrinë e Ekologjisë dhe në vend të Naser Nuredinit, në këtë dikaster propozohet Kaja Shukova. Partia e Kovaçevskit merr edhe zv/ministrin e Drejtësisë, për ku propozohet Viktorija Avramovska-Madiq. Maja Manoleva është propozuar si zëvendëse në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa Ndërkohë zv/ministri aktual i drejtësisë nga radhët e BDI-së, Agim Nuhiu zhvendoset në Ministrinë e Arsimit, ku propozohet si zëvendës i Jeton Shaqirit, po nga e njëjta parti. Kuvendi konfirmoi se ka pranuar propozimin e Kovaçevskit, por se për caktimin e seancës për votimin e ministrave dhe zëvendësve të rinj ende nuk është vendosur.  Pasi Kovaçevski dorëzoi listën në Kuvend, Aleanca për Shqiptarët shpalosi zotimet për qeverisje duke e arsyetuar përfshirjen në Qeveri tek parimet e demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur vendi përballet me kriza të shumëfishta.

“Deklarata është gurëthemeli i punës sonë të ardhshme brenda koalicionit qeverisës. Kemi përcaktuar pesë prioritete të ndara në 22 zotime konkrete, për të cilat do të angazhohemi me tërë energjinë tonë deri në fund të legjislaturës. Futja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta, që të gjitha përcaktuese për orientimin pro-perëndimor të vendit. Aleanca për Shqiptarët po merr përgjegjësinë si parti shtetndërtuese, e bindur se me sinqeritet dhe me pastërti, me transparencë dhe demokraci, do të prodhojmë vlera dhe rezultate, për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e ekonomisë, demokracisë dhe drejtësisë në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Për të zbatuar zotimet ASH thotë se ka zgjedhur më të mirët në radhët e veta për të udhëhequr resoret brenda koalicionit qeverisës. ASH thekson se ekipi i ministrave të saj do të përkrahet nga një numër i madh i zyrtarëve të shpërndarë në shumë drejtori dhe agjenci në të gjitha fushat e jetës publike.  Marrëveshja për përfshirje në Qeveri, u finalizua një ditë më parë në takimin mes Kovaçevskit dhe Taravarit.

Krenar Loga – ministër i Drejtësisë

Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë

Azir Aliu – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës

Kaja Shukova – Ministre e Mjedisit

Tiron Jajaga – zv/ministër i Mbrojtjes

Viktorija Avramovska-Madiq – zv/ministre e Drejtësisë

Vjollcë Berisha – zv/ministre e Bujqësisë

Maja Manoleva – zv/ ministre e Shëndetësisë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button