Kovaçevski: Procesi i ndryshimeve kushtetuese, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës
Kovaçevski: Procesi i ndryshimeve kushtetuese, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës

Gazetar: Lluka Andreev
Kryeministri Kovaçevski i përgjigjet kreut të VMRO-së Mickoski i cili ditë më parë tha se për të është mbyllur tema e grupit të punës për amendamentet kushtetuese. Kovaçevski tha se procesi i ndryshimeve kushtetuese do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e opozitës në grupin punues.
“Besoj se Kuvendi ynë ka kapacitet demokratik. Para së gjithash, lideri i opozitës nuk është deputet, kështu që ai nuk është relevant për të folur për këtë çështje. Së dyti, ai ndryshon shumë shpesh pikëpamjet e tij”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kryeministri shtoi se Mickoski në takimin me ish-kryeministrin bullgar Kiril Petkov ka përkrahur ndryshimet kushtetuese, por më pas ka ndryshuar qëndrim.
Ndryshe, autoritetet kanë theksuar se takimi i parë i grupit të punës do të mbahet pas festave të Pashkëve, ndërsa emrat e ekspertëve të ftuar do të bëhen të ditur deri në fund të javës. Asnjë parti opozitare nuk merr pjesë në grupin e punës. Kovaçevski, nga ana tjetër, ka sqaruar se pasi grupi punues do t’i bëjë propozimet për amendamentet kushtetuese, ato do të hidhen në debat publik dhe më pas procesi do të vazhdojë në Kuvend. Hapi i parë i procesit në Kuvend është votimi për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës, për të cilin nevojitet shumicë prej dy të tretash. Për momentin nuk është e qartë nëse opozita do të mbështesë hapjen e Kushtetutës, sepse më herët Mickoski tha se teksti i ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të hartohet nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, por nga komisioni kushtetues parlamentar që është hapi i dytë i procesit në Kuvend. Veç kësaj, VMRO-ja mbështetjen e saj për amendamentet kushtetuese e kushtëzoi me modelin kroat të Preambulës, por qeveria dhe partitë shqiptare e refuzuan këtë. /Lluka Andreev