Kremlini akuzon Ukrainën për rrëzimin e avionit, Zelenski kërkon hetim ndërkombëtar
Kremlini akuzon Ukrainën për rrëzimin e avionit, Zelenski kërkon hetim ndërkombëtar

Kremlini ka akuzuar sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që tha se po bartte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti. Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën. Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e quajti “akt monstruoz”, megjithëse Moska ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord. Derisa nuk tha se kush e rrëzoi avionin, Zelenski tha se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet”. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me aeroplanë mallrash.
“Është e qartë se rusët po luajnë me jetën e robërve ukrainas, ndjenjat e të afërmve të tyre. Duhet të vërtetohen të gjitha faktet, pasi avioni u rrëzua në territorin rus – jashtë kontrollit tonë. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës po heton të gjitha rrethanat. Unë kam udhëzuar ministrin e Punëve të Jashtme që t’u sigurojë partnerëve tanë informacionet që i kemi në dispozicion. Shteti ynë do të insistojë në një hetim ndërkombëtar”, deklaroi Volodimir Zelenski, President i Ukrainës. /Alsat.mk