Krerët e institucioneve evropiane unanim për zgjerimin
Krerët e institucioneve evropiane unanim për zgjerimin

Gazetar: Lluka Andreev
Procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet, ndërsa Unioni duhet të përgatitet për anëtarë të rinj – ky është mesazhi kryesor i drejtuesve të institucioneve të BE-së në samitin joformal në Granada, shkruan Alsat.
Sot aty janë mbledhur krerët e shteteve anëtare dhe tema kryesore është pikërisht zgjerimi, por edhe migrimet. Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si vendet kandidate, ashtu edhe Unioni i kanë detyrat e shtëpisë dhe atëherë do të përfitonin të gjithë.
Nga ana tjetër, njeriu i parë i Këshillit Evropian, Çarles Mishel, tha se është e rëndësishme që Unioni të vendosë se çfarë dëshiron të jetë në të ardhmen.
“Përvoja e zgjerimit të BE-së tregon se sjell përfitime të mëdha për të dyja palët. Jo vetëm për vendet pranuese, ku standardet e jetesës do të rriten me shpejtësi, por edhe BE-ja do të përfitojë shumë nga zgjerimi. Forca jonë më e madhe është tregu i përbashkët dhe zgjerimi i tregut të përbashkët është vlerë e shtuar e madhe”, tha Ursula von der Leyen – kryetare e KE-së.
“Ne kemi debat të rëndësishëm për zgjerimin. Kjo nënkupton që vendet kandidate kanë reforma për të zbatuar dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, dhe nga ana jonë, nga ana e BE-së, ne duhet të jemi gati. Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që kemi takim të nivelit të lartë për këtë temë”, u shpreh Charles Michel – kryetar i Këshillit Evropian.
I pyetur nëse viti 2030 është synim real për pranimin e anëtarëve të ri në BE, Komisioneri Evropian për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Xhozep Borrell u përgjigj se është mirë të kemi horizont të dukshëm. Sipas tij, dhënia e statusit kandidat Ukrainës i ka shtyrë edhe më tej kandidatët e mëparshëm në radhë dhe tani procesi i zgjerimit ka filluar të ecë shumë shpejt.
“Është mirë të kesh qëllim. Është mirë të kesh horizont politik. Vendosja e një afati ka të bëjë me mobilizimin e energjisë politike për ta çuar para procesin. Përndryshe, nëse nuk ka afat, njerëzit do të mendojnë se ka kohë, por nuk ka kohë. Procesi i zgjerimit është zvarritur për një kohë të gjatë”, theksoi Josep Borrell.
BE-ja do të diskutojë se si do të marrë vendime në të ardhmen – nëse unanimisht si më parë apo do të zgjidhet opsioni i votimit me shumicë të cilësuar, që mund të lehtësojë në mënyrë drastike pranimin e anëtarëve të rinj./ Alsat.mk