Krime kundër njerëzimit në Irak e Siri, dënohet kosovari Murat Dernjani

Krime kundër njerëzimit në Irak e Siri, dënohet kosovari Murat Dernjani

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Murat Dernjanin për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit dhe e ka dënuar atë me 20 vjet burgim, shkruan Insajderi.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violet Namani Hajra dhe gjykatësit Rrahman Beqiri dhe Kushtrim Shyti.

Procesi gjyqësor është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe për të garantuar mbrojtjen e të dëmtuarve.

Sipas vendimit të gjykatës, dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë të konsistente dhe të ndërlidhura, duke e identifikuar të akuzuarin si personin përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës ndaj viktimave në Siri dhe Irak.

Gjykata konstatoi se veprimet e Dernjanit përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të normave të të drejtës ndërkombëtare humanitare, raporton Betimi për Drejtësi.

Dënimi përfshin edhe kohën e kaluar në paraburgim, e cila do të llogaritet në vuajtjen e dënimit të shqiptuar.

Por kush është Murat Dernjani?

Në të kaluarën, emri i Murat Dernjanit kishte dalë në pah si pjesë e hetimeve për terrorizëm. Gjykata Themelore e Prishtinës, në janar të vitit 2019, e kishte dënuar atë me 5 vjet burgim për vepra penale që ndërlidheshin me terrorizëm. Ai kishte pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës së atëhershme nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Dernjani në vitin 2013 kishte udhëtuar drejt Turqisë bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij, me qëllim që t’i bashkohej organizatës terroriste ISIS. Në dokumente thuhej se ai ishte vendosur fillimisht në qytetin turk Kilis, pranë kufirit me Sirinë, e më pas kishte hyrë ilegalisht në Gaziantep, prej nga ishte bashkuar me ISIS-in në Siri dhe Irak.

Po ashtu, për Dernjanin raportohej se kishte qenë bashkëpunëtor i afërt i Lavdrim Muhaxherit, një prej figurave më të njohura të shqiptarëve në radhët e ISIS-it.

Sipas Prokurorisë, Dernjani kishte qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, kohë kur ishte tërhequr nga aktivitetet terroriste dhe ishte dorëzuar tek autoritetet turke, për t’u rikthyer më pas në Kosovë.

Në procesin e fundit gjyqësor ndaj tij, avokati mbrojtës Dejan Vasiq e kishte cilësuar Dernjanin si “njeriun më të privuar nga e drejta”, duke vënë në dyshim vërtetësinë dhe origjinën e provave të paraqitura nga Prokuroria. Ai kishte deklaruar se provat kundër Dernjanit ishin “jashtëzakonisht të dyshimta dhe të siguruara nga shërbimet e huaja inteligjente”.

Vasiq kishte kritikuar edhe faktin që procesi ishte zhvilluar me dyer të mbyllura, duke kërkuar që klientit të tij t’i mundësohej të deklarohej publikisht dhe të mbrohej nga, siç i quajti ai, “akuzat e rreme që kanë dëmtuar reputacionin e tij dhe të familjes së tij”.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Dernjanin fajtor për krime kundër njerëzimit dhe e dënoi me 20 vjet burg.

LEXO EDHE:

Back to top button