Kritikat e Modriqit “nxisin” perleshjen mes dy yjeve të Realit në zhveshtore

Humbja turpëruese në “Emirates” javën e kaluar tronditi paksa dhomën e zhveshjes të Real Madridit. Sipas disa mediave spanjolle, Luka Modriq i ka theksuar trajnerit Karlo Ançeloti se disa lojtarë nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme dhe tani një situatë nga stërvitja ka dëshmuar se marrëdhëniet në zhveshtoren “mbretërore” janë lëkundur shumë.

Gazetari i “El Chiringuito”, Edu Aguire zbuloi se të premten e kaluar gjatë stërvitjes ka pasur një konflikt mes dy yjeve të Realit si Xhud Belingam dhe Antonio Rudiger.

“Ka qenë një nga javët më të tensionuara në dhomën e zhveshjes së Real Madridit. Që nga e mërkura, lojtarët janë ndjerë sikur duhet ta kalojnë këtë, ata ndjejnë se sezoni i tyre është në rrezik në vetëm pak ditë. Më kanë thënë se në stërvitjen e së premtes ka pasur një debat të fortë mes dy lojtarëve. Si rezultat i tensionit, ka ndodhur një debat i rëndësishëm dhe ka shpërthyer një sherr mes Belingamit dhe Rudigerit”, u shpreh Aguirre.

 

“Konflikti u zgjidh shumë mirë. Më thanë që më pas kanë shtrënguar duart, por kjo tregon mjaftueshëm se ka tension mes lojtarëve të Realit”, përfundoi ai.

 

Për Realin, ndeshja e të mërkurës ndaj Arsenalit është një ndeshje “jetë a vdekje”, ku do të synojnë të përmbysin rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë./IndeksOnline

LEXO EDHE:

Back to top button