Kroacia, anëtare e re e Shengenit, e cila zëvendëson kunën me euron në 2023

Nga 1 janari 2023, Kroacia do të bëhet shteti i 20-të anëtar i Bashkimit Evropian që i bashkohet Eurozonës dhe pas më shumë se një dekade, anëtarja e 27-të e zonës Shengen

Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2013, Kroacia mori përsipër të përmbushë kriteret për futjen e euros dhe hyrjen në zonën Shengen, e cila u realizua pas disa vitesh përgatitjeje dhe vlerësimi të kritereve nga organet kompetente evropiane, në mënyrë që nga mesnata, sapo të përfundojë viti 2022, Kroacia zyrtarisht të bëhet anëtare e Eurozonës dhe Shengenit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pak minuta pas mesnatës, më 1 janar 2023, guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate (CNB) Boris Vujçiq dhe ministri i Financave, Marko Primorac do të tërheqin eurot e para në një bankomat pranë CNB për të shënuar simbolikisht hyrjen e Kroacisë në Eurozonë.

Mëngjesin e 1 janarit, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq do të shkojnë në pikën kufitare të Breganës ku do të priten nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Më pas, Von der Leyen dhe Plenkoviq do të pinë kafe në sheshin “Ban Jelaçiq” dhe do ta paguajnë atë në euro për të shënuar simbolikisht hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen dhe në Eurozonë.

Bëhet fjalë për dy synime kyçe të politikës së jashtme që i mbetën Kroacisë pas anëtarësimit në NATO dhe BE-së ndërkohë që anëtarësimi i Kroacisë në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) shpesh theksohet si objektiv i paplotësuar.

– Eurozona, kuna kroate hyn në histori

Nga 1 janari 2023, Kroacia do të bëhet shteti i 20-të anëtar i BE-së që do të hyjë në Eurozonë dhe do të zëvendësojë monedhën e saj kombëtare, kunën, me euron.

Kroacia është tashmë ekonomi shumë e “euroizuar” sepse më shumë se gjysma e kursimeve dhe kredive të brendshme janë në euro ndërsa më shumë se dy të tretat e shkëmbimeve ekonomike dhe i njëjti numër turistësh vijnë nga Eurozona.

Zëvendësimi i kunës me euron është proces që teknikisht filloi me evidentimin e çmimeve të dyfishta që u bënë të detyrueshme pothuajse në të gjitha pikat e shitjes dhe që shumë shitës me pakicë e prezantuan edhe përpara afatit të përcaktuar, 5 shtatorit. Euro do të bëhet zyrtarisht valutë kroate në mesnatën e 1 janarit 2023, me faktin se deri më 14 janar qytetarët do të mund të paguajnë ende në kuna, ndërsa rimbursimet do të bëhen në euro, vetëm në raste të jashtëzakonshme në kuna. Pritet që zinxhirët e shitjes me pakicë të jenë ndër vendet kryesore për konvertimin e kunave të mbetura në euro dhe shitësit e vegjël po përgatiten intensivisht për shkëmbimin e kunës.

Është përcaktuar kursi fiks i konvertimit prej 7,53450 HRK për 1 euro, sipas të cilit të gjitha kursimet në llogaritë rrjedhëse dhe xhiro kuna të qytetarëve dhe subjekteve afariste do të konvertohen automatikisht në euro në të gjitha bankat nga 1 janari me kursin fiks.

Procesi teknik i kalimit në euro është kërkues në shumë aspekte. Kështu që nga 15 dhjetori, për shkak të riprogramimit, rreth 2.700 nga gjithsej 4.000 bankomate në Kroaci janë jashtë funksionit për shkak të përshtatjes së tyre me kartëmonedhat euro. Nga 1 janari, për shkak të përshtatjes me euron, 1.300 bankomatet e mbetura do të jenë jashtë funksionit, në mënyrë që nga data 15 dhjetor deri më 15 janar, tërheqja e parave në të gjitha bankomatet të jetë falas për qytetarët, edhe nëse bëhet fjalë për bankomat të një banke tjetër. Bankat paralajmërojnë qytetarët se bankomatet do të jenë kryesisht jashtë funksionit rreth mesnatës së ndërrimit të viteve dhe të kujdesen për paratë e gatshme.

Kritikët e futjes së euros, kryesisht nga e majta dhe e djathta ekstreme politike, paralajmërojnë se shuarja e kunës është humbje e sovranitetit monetar dhe pjesë e identitetit kroat, por edhe një mundësi për tregtarët për të rritur çmimet. Megjithatë, presionet inflacioniste për shkak të futjes së euros janë të vogla, midis 0.2 dhe 0.4 për qind, thekson Ministria kroate e Financave.

Për euron duhej të ndërmerreshin reforma të gjera, të cilat përfshinin menaxhimin e kompanive publike, parandalimin e pastrimit të parave, kriteret makroekonomike etj.

Banka Kombëtare e Kroacisë njoftoi se me hyrjen e vendit në Eurozonë, qytetarët dhe sipërmarrësit do të kenë përfitime konkrete, të drejtpërdrejta dhe të përhershme, pasi rreziku i monedhës do të zhduket dhe Kroacia do të jetë më tërheqëse për investime dhe më e sigurt në kohë krize.

– Shengen, Kroacia si anëtarja e 27-të e territorit të vetëm

Në fillim të dhjetorit të këtij viti, Kroacia mori mbështetjen unanime të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për hyrjen në Shengen nga 1 janari 2023, duke zgjeruar kështu zonën Shengen për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së pranuan zyrtarisht hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen ndërsa bllokuan Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilat ishin gjithashtu kandidate.

Hyrja në Shengen shfuqizon kontrollin kufitar midis Kroacisë dhe anëtarëve të tjerë të Shengenit të BE-së, përfshirë Slloveninë dhe Hungarinë, me synimin për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Në kufijtë e jashtëm të Kroacisë, në kufijtë me Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, kontrolli kufitar mbetet i njëjtë.

Kroacia bëhet kështu anëtarja e 27-të e zonës Shengen, që nga 1 janari 2023 do të hiqen kontrollet kufitare në pikat kufitare tokësore dhe detare ndërsa në pranverë, më 26 mars 2023, edhe në aeroporte.

Aderimi i Kroacisë në zonën Shengen ishte proces i gjatë ndërsa gjatë kësaj periudhe Kroacia duhej të përmbushte 281 kritere. Kriteret teknike nënkuptojnë se Kroacia, me ndihmën e fondeve të BE-së, duhet të financojë, ndërtojë dhe pajis pikat kufitare dhe infrastrukturën tjetër për nevojat e policisë në përputhje me kriteret evropiane, të marrë pajisje teknike për mbikëqyrjen kufitare, të investojë në sistemet e TI-së, të hyjë në sistemin e informacionit Shengen, krijimin e një sistemi vizash, etj.

Avantazhi kryesor i anëtarësimit është hyrja e lirë në vend për turistët që vijnë në Kroaci kryesisht me automjete nga zona Shengen, por edhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave.

Me hyrjen në Shengen shfuqizohen 73 pika kufitare, 12 prej të cilave në det, shumica në kufi me Hungarinë dhe Slloveninë. Kroacia bëhet vendi me kufirin më të gjatë tokësor, më shumë se 1.300 kilometra të gjatë, brenda Shengenit, ku pjesa më e madhe e vijës së kufirit të jashtëm është kufiri me Bosnjë e Hercegovinën.

Kriza e emigrantëve dhe kërcënimi terrorist janë sfidat më të mëdha për funksionimin e zonës Shengen. Kritikat më të mëdha ndaj Kroacisë janë drejtuar nga organizatat joqeveritare që merren me pritjen e emigrantëve, të cilët kritikojnë policinë kroate se ka rrahur brutalisht emigrantët që tentojnë të hyjnë ilegalisht në territorin kroat, zakonisht nga Bosnjë e Hercegovina. Ata vlerësojnë se policia nuk zbaton ligjet e BE-së dhe shkel kompetencat e saj në veprimet e saj.

Kryeministri kroat Plenkoviq ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron gardhe me tela me gjemba drejt Bosnjë e Hercegovinës, por të parandalojë migrimin ilegal duke forcuar bashkëpunimin policor.

Në natën e ndërrimit të viteve, hyrjen në Shengen do ta shënojnë simbolikisht ministri i Jashtëm kroat dhe ai i Brendshëm me kolegët sllovenë në pikat kufitare me Slloveninë, të cilat do të hapen për qarkullim të lirë.

Shengeni nënkupton politikë të përbashkët për vizat për qytetarët jashtë BE-së që vijnë për një periudhë të shkurtër, mundëson luftë të përbashkët kundër krimit përmes bashkëpunimit policor dhe gjyqësor.

Zona Shengen, së bashku me Kroacinë, përfshin territoret e 27 vendeve evropiane që kanë miratuar Marrëveshjen e Shengenit të nënshkruar në vitin 1985 në Shengen të Luksemburgut, nga të cilat 23 janë anëtarë të BE-së dhe katër vende joanëtare – Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Zona Shengen funksionon kryesisht si zonë e një shteti, me kontrolle tradicionale për ata që hyjnë dhe dalin nga zona, por nuk ka kontrolle të kufirit të brendshëm.

LEXO EDHE:

Back to top button