Kryebashkiaku i Nju Jorkut, akuzohet për krime federale

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, akuzohet për krime federale

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams akuzohet për krime federale. Këtë fakt e ka njoftuar vetë zyrtari njujorkez pasi prestigjiozja “New York Times” raportoi se ai tashmë ishte paditur për korrupsion dhe ishte në hetim federal.

Demokrati Adams është i pari nga 110 kryebashkiakët e qytetit që akuzohet penalisht gjatë kohës që është në detyrë. Në një dalje për mediat Adams tha se nëse do të ngriheshin akuza ato do të ishin “krejtësisht të rreme, të bazuara në gënjeshtra”. Ai u zotua se do të qëndronte në detyrë ndërkohë që do t’i luftonte.

“Shokët e mi njujorkezë, tani besoj se qeveria federale synon të më akuzojë për krime. Nëse po, këto akuza do të jenë krejtësisht të rreme të bazuara në gënjeshtra. Por ata nuk do të habiteshin. Unë do të kërkoj një gjyq të menjëhershëm, në mënyrë që njujorkezët ta dinë se nga vij unë. Kur qeveria federale nuk bëri asgjë pasi politikat e saj të prishura të imigracionit mbingarkuan sistemin tonë të strehimoreve pa lehtësim, unë i vendosa njerëzit e Nju Jorkut përpara partisë dhe politikës. Tani, nëse akuzohem, shumë mund të thonë se duhet të jap dorëheqjen sepse nuk mund ta menaxhoj qytetin duke luftuar çështjen”, u shpreh Adams.

Aktakuza ka të ngjarë të zbardhet të enjten, kur Adams mund të paraqitet në gjykatë. Ndërkohë, akuzat konkrete mbetën të paqarta. Gjithashtu, mbeti e paqartë nëse Adams do të arrestohej apo do të dorëzohej vullnetarisht. Akuzat vijnë pasi FBI në nëntorin e kaluar kontrolloi pajisjet elektronike të Adams dhe pas një sërë dorëheqjesh nga zyrtarë të lartë të qytetit në javët e fundit, pasi hetime të shumta federale për korrupsion prekin administratën e tij.

Nju Jorku ka qenë në një situatë tensioni politike muajin e fundit. Komisioneri i policisë Edward Caban dha dorëheqjen më 12 shtator, një javë pasi agjentët e FBI-së i kontrolluan telefonin. Disa ditë më vonë, këshilltarja kryesore ligjore e Adams dha dorëheqjen, duke thënë se ajo “nuk mund të shërbente më efektivisht” në këtë pozicion

LEXO EDHE:

Back to top button