Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut takuan Kurtin, presin shtensionim të situatës

Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut takuan Kurtin, presin shtensionim të situatës

Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut kërkuan që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u takuan në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Gjatë një konference për media, Rutte tha se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme. Bettel po ashtu bëri thirrje për uljen e tensioneve, duke theksuar se të gjitha palët duan shtensionim. Kurti tha se Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Kryeministri kosovar tha se për këtë kërkohet që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.

“Sot kemi shprehur brengat tona për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Holanda e Luksemburgu tentojnë që përmes dialogut të shtensionet situata dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por po ashtu për prosperitetin e integrimit drejt BE-së”, deklaroi Mark Rute, Kryeministër I Holandës.

“Udhërrëfyesi nga [i dërguari i BE-së për dialogu, Mirosllav] Lajçaku dhe [shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph] Borrelli paraqet po ashtu për ne hapat e rëndësishëm për të vazhduar përpara. Ne duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme”, u shpreh Havier Betel, Kryeministër I Luksemburgut.

“Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi Marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe Aneksin e zbatimit të 18 marsit, për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm ëpr shtetin dhe shoqërinë tonë, por edhe për Bashkimin Evropian që të shtyjnë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button